• e hënë, 07 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

“Fridom haus”: Maqedonia mbetet vend pjesërisht i lirë

“Fridom haus”: Maqedonia mbetet vend pjesërisht i lirë

Uashington, 26 shkurt 2025 (MIA) - Maqedonia edhe këtë vit mbetet vend pjesërisht i lirë, tregon raporti i fundit i "Fridom haus" i titulluar si "Liria në botë 2025".

Vendi, si edhe vitin e kaluar, ka një indeks të lirisë prej 67 nga njëqind pikë të mundshme. Rangimi i "Fridom haus" bazohet në dy kritere - të drejtat politike dhe liritë civile. Të drejtat politike vlerësohen me një indeks 28 nga 40 të mundshme, derisa liritë civile me 39 nga 60 pikë.

Në raport theksohet se vendi vazhdon të luftojë me korrupsionin, ndërkohë që mediat dhe shoqëria civile marrin pjesë në një diskurs publik energjik, gazetarët dhe aktivistët përballen me presion dhe frikësim.

Nga vendet e rajonit më të gjerë, Sllovenia qëndron më së miri me një indeks prej 96. Në grupin e vendeve të lira është edhe Greqia (85), Kroacia (82), dhe Bullgaria (77). Në kategorinë pjesërisht të lirë, janë Mali i Zi (69), Shqipëria (68), Kosova (60), Serbia (56) dhe Bosnje e Hercegovina (52).

Organizata me seli në Uashington e vlerëson gjendjen e lirisë në çdo vend duke përdorur sistemin e pikëve nga zero deri në njëqind, me atë që sa më shumë pikë ka vendi, aq më i lirë është ai. Në varësi të asaj se sa pikë merr një vend, ai ndahet në një nga tre kategoritë; vende të lira, pjesërisht të lira dhe jo të lira.

Në renditjen e sivjetme të "Fridom haus", organizatë joprofitabile e financuar nga qeveria amerikane, dy vende morën statusin e vendeve të lira: Senegali dhe Butani, mbretëria e Himalajeve që po konsolidon tranzicionin e saj drejt demokracisë përmes zgjedhjeve.

"Fridom haus" në raport vlerëson se liritë në mbarë botën vitin e kaluar kanë rënë, derisa regjimet autoritare forcuan kontrollin e tyre, por ka përparim të rëndësishëm në Azinë Jugore.

Përmirësimi më i madh në rezultatin e indeksit e cila i ndjek edhe vendet edhe territoret, është Kashmiri nën sundimin indian e cila mban zgjedhje për herë të parë që kur qeveria nacionaliste në Nju Delhi hoqi statusin special të rajonit me shumicë myslimane në vitin 2019.

Sipas "Fridom haus", India në tërësi ka parë përkeqësim të mëtejshëm, duke vënë në dukje përpjekjet e kryeministrit Narendra Modi për të fituar ndikim mbi emërimet në drejtësi. Grupi e zvogëloi renditjen në demokracinë më të madhe në botë nga "e lirë" në "pjesërisht e lirë" në vitin 2021.

Jana Gorohovskaja, bashkautore e raportit, deklaroi se liritë kanë rënë në nivel global për të 19-in vit radhazi, por se viti 2024 ishte veçanërisht i paqëndrueshëm për shkak të numrit të madh të zgjedhjeve.

"Fotografia e madhe është se ky ishte edhe një vit tjetër në të njëjtën trajektore të rënies globale të lirisë, por për shkak të të gjitha zgjedhjeve, ajo ishte më dinamike se vitet e mëparshme", tha ajo.

 

Ajo shtoi se si Bangladeshi po edhe Siria, ku luftëtarët e udhëhequr nga islamistët rrëzuan nga froni liderin shumëvjeçar Bashar al-Asad në dhjetor, kanë shënuar përmirësime momentale në liritë civile - por se do të jetë rrugë më e gjatë që të shihen përfitimet në përfaqësimin politik.

Të drejtat politike në masë të madhe "varen nga institucionet. Edhe ato lehtë shkatërrohen, por shumë vështirë ripërtërihen", ka thënë Gorohovskaja.

"Fridom haus" është themeluar në vitin 1941 me mbështetje dypartiake amerikane, financohet nga qeveria amerikane, por funksionon si e pavarur. Grupi jofitimprurës planifikonte largime nga puna pasi presidenti amerikan Donald Tramp ngriu paratë e destinuara për promovimin e demokracisë.

Foto: "Fridom haus"

 

QËNDRONI TË LIDHUR