• e premte, 22 nëntor 2024

Fon der Lajen: Mbështetja për Ukrainën është rruga e vetme për arritjen e paqes

Fon der Lajen: Mbështetja për Ukrainën është rruga e vetme për arritjen e paqes

Bruksel, 9 tetor 2024 (MIA) - Ka vetëm një rrugë për të arritur paqen si për Ukrainën ashtu edhe për Evropën, e ajo është të vazhdohet me forcimin e rezistencës ukrainase me mbështetje politike, financiare dhe ushtarake, tha sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen duke iu drejtuar Parlamentit Evropian në Strasburg gjatë debatit mbi prioritetet e presidencës hungareze me BE-në.

"Muajin e kaluar në Kiev theksova se do të sigurojmë deri në 35 miliardë euro kredi për Ukrainën, si pjesë e 50 miliardë dollarëve të premtuara nga G7. Kjo huamarrje do të paguhet nga fitimet e paplanifikuara të fondeve të ngrira ruse dhe do të derdhen drejtpërdrejtë në buxhetin kombëtar të Ukrainës. Me këtë e detyrojmë Rusinë të paguajë për dëmin që ka shkaktuar dhe do të mbështesim Ukrainën gjatë këtij dimri aq sa është e nevojshme", ka thënë Fon der Lajen.

Ajo i është referuar edhe situatës aktuale në Ukrainë, duke theksuar intensitetin në rritje të sulmeve ruse, të cilat rezultuan në një numër të madh të viktimave dhe të plagosurve dhe shkatërrimin e ndërtesave dhe infrastrukturës.

"Bota ka qenë dëshmitare e krimeve të luftës ruse, e megjithatë ka ende disa që për këtë luftë nuk fajësojnë sulmuesin, por të sulmuarin... Ne evropianët mund të kemi histori të ndryshme dhe gjuhë të ndryshme, por nuk ekziston gjuhë evropiane ku paqja është sinonim i dorëzimit, ndërsa sovraniteti sinonim i okupimit. Populli i Ukrainës po lufton për liri, ashtu si heronjtë që çliruan Evropën Qendrore dhe Lindore nga sundimi sovjetik", ka thënë kryetarja e KE-së.

Duke folur për prioritetet e tjera të presidencës hungareze, përveç Ukrainës, Fon der Lajen tha se si pjesë e përpjekjeve për të forcuar konkurrencën, BE-ja duhet të fokusohet në zvogëlimin e hendekut të investimeve midis saj dhe ekonomive të tjera të mëdha dhe në barrierat që kufizojnë zgjerimin e kompanive jashtë tregut evropian.

Ajo shtoi se politika të tilla të qeverisë hungareze vetëm krijojnë pasiguri dhe minojnë besimin e investitorëve, në kohën kur fqinjët e saj nga Evropa Qendrore kanë tejkaluar Hungarinë sa i përket BPV-së.

"Hungaria është në zemër të Evropës dhe duhet të jetë edhe në zemër të ekonomisë sonë. Populli hungarez duhet të gëzojë të gjitha përfitimet e tregut tonë të vetëm", ka thënë Fon der Lajen.

Kryetarja e KE-së iu referua gjithashtu nevojës për diversifikimin e burimeve të energjisë dhe nevojës për ndërprerje të varësisë nga, siç tha ajo, "karburantet fosile ruse".

"Kemi ndërtuar infrastrukturë dhe lidhje të reja me partnerë të besueshëm. Në gjysmën e parë të vitit, 50 për qind e të gjithë prodhimit tonë të energjisë elektrike erdhi nga burimet e rinovueshme vendore, nga energjia jonë e cila krijoi vende të reja të punës në Evropë, jo në Rusi", ka thënë Fon der Lajen.

Lidhur me problemin e migracionit, kryetarja e KE-së theksoi se kjo paraqet “sfidë evropiane që kërkon përgjigje evropiane” dhe prandaj duhet të zbatohet Pakti i ri për migracionin dhe azilin e BE-së.

Foto: skrinshot

 

QËNDRONI TË LIDHUR