• e martë, 24 dhjetor 2024

FIZHT me thirrje të re publike “Startup 6”, e dedikuar për mbështetje të eko-sistemit startup të Maqedonisë së Veriut

FIZHT me thirrje të re publike “Startup 6”, e dedikuar për mbështetje të eko-sistemit startup të Maqedonisë së Veriut

Shkup, 6 mars 2024 (MIA) - Fondi për inovacione dhe zhvillim teknologjik sot shpalli thirrjen publike Startup 6, me të cilin janë vënë në dispozicion gjithsej 2 milionë euro mjete financiare të pakthyeshme për të mbështetur eko-sistemin startup të Maqedonisë së Veriut.

"Thirrja publike “Startup 6” është thirrja e gjashtë radhazi, e cila ofron kushte më të lehta për aplikim dhe akses më të lehtë financiar për ndërmarrjet start-up dhe spin-off. Qëllimi është inkurajimi i inovacionit tek ndërmarrjet e sapothemeluara duke ofruar mbështetjen e nevojshme financiare për aktivitetet që lidhen me hulumtim dhe zhvillim. Mbështetja përmes kësaj thirrjeje është e dedikuar për projektet që kanë të paktën "dëshmi të konceptit" dhe ambicie të qartë komercializimi, si dhe për projektet të cilët janë në fazën e dëshmis së konceptit deri në fazën e parakomercializimit (para tregtimit)", kumtojnë nga FIZHT.

Mjetet financiare të marra në këtë thirrje janë të pakthyeshme, me çka ndërmarrjet startup maqedonase marrin mbështetje të madhe dhe mundësi për të prezantuar inovacione në veprimtaritë e tyre, për të përmirësuar produktin/shërbimin e tyre dhe për të arritur sukses në treg.

Nga buxheti i përgjithshëm i thirrjes, Fondi do të sigurojë 40,000 euro (deri në 90%) të buxhetit të përgjithshëm të projektit për shoqëritë tregtare deri në tre vjet ekzistencë, gjegjësisht deri në 60,000 euro (85%) të buxhetit të përgjithshëm të projektit për shoqëritë tregtare me më shumë se 3, dhe më pak se 6 vjet ekzistencë. Shuma e mbetur 10% respektivisht 15% e buxhetit të përgjithshëm të projektit duhet të sigurohet nga ana e aplikuesit.

Në këtë thirrje mund të aplikojë edhe një ekip i përbërë nga maksimumi pesë anëtarë - persona fizikë. Në këtë rast, aplikanti është i detyruar që brenda 30 ditëve kalendarike pas marrjes së Njoftimit për përzgjedhjen e propozim-projektit, të themelojë një shoqëri tregtare në të cilën të paktën 51për qind e anëtarëve të ekipit do të paraqiten si themelues.

Për sa i përket aktiviteteve që do të miratohen për financim, do të mbështeten aktivitetet për hulumtim dhe zhvillim, zhvillim të linjave pilot, prodhim ose shërbim, aktivitetet e testimit dhe validimit, aktivitetet e testimit të tregut dhe të tjera. Si shpenzime të pranueshme do të konsiderohen: pagat bruto për personat që janë ose do të punësohen tek shfrytëzuesi, furnizimi dhe/ose huazimi i pajisjeve dhe materialeve harxhuese për hulumtim dhe zhvillim, si dhe shërbimet e nënkontraktuara për hulumtim dhe zhvillim.

"Për sa i përket procesit të evaluimit, të gjitha aplikacionet e projekteve të pranuara do të kalojnë në dy faza. Faza e para-përzgjedhjes, e cila kryhet nga tre ekspertë vendas, dy ekspertë nga fushat që korrespondojnë me kriteret e evaluimit dhe një person nga fushat që korrespondon me propozim projektin. Faza e përzgjedhjes kryhet nga Komisioni i Miratimit të Investimeve, i cili merr vendimin përfundimtar për financimin nëpërmjet këtij Instrumenti", kumtojnë nga FIZHT.

Thirrja publike “Startup 6” është e hapur deri më 15 prill të këtij viti, deri ora 14:00. I gjithë dokumentacioni i projektit dhe mënyra e aplikimit janë në dispozicion në faqen e internetit: https://shorturl.at/hmvQWbsh/

Foto: FIZHT

QËNDRONI TË LIDHUR