Fitues i zgjedhjeve për kryetar komune është ai që merr më shumë vota, nëse nuk arrihet zgjedhje, Qeveria emëron një përfaqësues
- Në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit sot votohet për kryetarë komunash, ndërsa në tre vendvotime në Shuto Orizare votohet edhe për këshilltarë.
- Post By Sara Ademi
- 08:11, 2 nëntor, 2025
Shkup, 2 nëntor 2025 (MIA) - Në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit sot votohet për kryetarë komunash, ndërsa në tre vendvotime në Shuto Orizare votohet edhe për këshilltarë.
Në raundin e dytë votohet për dy kandidatët të cilët në raundin e parë kanë marrë më së shumti vota, ndërsa për kryetar komune është zgjedhur kandidati i cili ka marrë numër më të madh të votave.
Sipas Kodit Zgjedhor, nëse edhe pas raundit të dytë për çfarëdo arsye nuk bëhet zgjedhja e kryetarit të komunës, komisioni zgjedhor në afat prej 15 ditësh nga përfundimi i zgjedhjeve e njofton Qeverinë. Pas marrjes së njoftimit Qeveria në afat prej 15 ditësh do ta emërojë një përfaqësues për kryerjen e punëve nga kompetenca e kryetarit të komunës.
Qeveria më së voni në afat prej 15 ditësh pas ditës së emërimit të përfaqësuesit e njofton kryetarin e Kuvendit për shpalljen e zgjedhjeve për kryetar komune.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor rezultatet fillestare të zgjedhjeve të pranuara në mënyrë elektronike i publikon njëra pas tjetrës, ndërsa rezultatet në bazë të të dhënave nga procesverbalet e komisioneve komunale zgjedhore përkatësisht Komisioni Zgjedhor i qytetit të Shkupit në afat prej 12 orësh pas përfundimit të zgjedhjeve.
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve KSHZ i publikon menjëherë, ndërsa më së voni në afat prej 24 orëve nga dita e përfundimit të tyre. sa/
FOTO: MIA Arkivi