Fitues absolut i festivalit "Teari shqiptar në Maqedoni" është teatri nga Tetova
- Me shpalljen e më të mirëve dhe ndarjen e çmimeve, mbrëmë vonë, në Dibër përfundoi Edicioni i 22-të i festivalit "Teatri shqiptar në Maqedoni".
- Post By Besnik Shuki
- 11:21, 1 tetor, 2023
Dibër, 1 tetor 2023 (MIA) - Me shpalljen e më të mirëve dhe ndarjen e çmimeve, mbrëmë vonë, në Dibër përfundoi Edicioni i 22-të i festivalit "Teatri shqiptar në Maqedoni".
Fitues absolut i kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore është Teatri nga Tetova me shfaqen "Armiku i popullit", në regji të Arben Kumbaros, të cilën juria profesionale e shpalli më të mirën. Po ashtu, Kumbaros i takoi edhe çmimi për regji më të mirë, ndërsa Arsim Fazlija, nga teatri i njëjtë është shpallur aktori më i mirë.
Çmimi për aktore më të mirë i takoi Sara Bajramit, nga Teatri shqiptar i Shkupit, me shfaqen "ADN".
Çmimet i dorëzoi kryetari i komunës Hekuran Duka, i cili të gjithë pjesëmarrësve u dëshiroi edhe shumë paraqitje dhe çmime.
"Njëzet e dy vite radhazi Dibra është nikoqir i këtij manifestimi të rallë në hapësirat shqiptare. E kush do të bëjë këtë më mirë se Dibra, e cila ka trashëguar kulturë dhe civilizim të posaçëm. Prania e aktorëve, regjisorëve, kritikëve të artit dhe kulturës shtatë ditë radhazi i dha qytetit tonë gjallërim të posaçëm, të cilin e meriton. Komuna e Dibrës si dhe çdoherë do ta përkrah këtë aktivitet, i cili ka jehonë kombëtare. Falënderoj organizatorët, drejtorin e Festivalit Ylber Nuredini dhe gjithsesi publikun dibran", tha Duka.
Në shtatë mbrëmjet e festivalit, janë paraqitur teatro dhe grupe nga Maqeodnia e Veirut, Shqipëria dhe Kosova.
Mbajtjen e festivalit me 900 mijë denarë e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Komuna e Dibrës me 370 mijë denarë, si dhe ndërmarrje nga Dibra. bsh/
Foto: MIA