• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Fillon Asambleja e përgjithshme e OKB-së, Siljanovska Davkova do të marrë pjesë në takimin vjetor të Platformës së grave - lidere

Fillon Asambleja e përgjithshme e OKB-së, Siljanovska Davkova do të marrë pjesë në takimin vjetor të Platformës së grave - lidere

Nju Jork, 24 shtator 2024 (MIA) - Sot në ora 9:00 në Nju Jork fillon Debati i përgjithshëm i Asamblesë së 79-të të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në të cilin do të marrë pjesë edhe delegacioni i RMV-së i kryesuar nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova. Tema e asamblesë së këtij viti është "Duke mos lënë askënd pas: të veprojmë së bashku për të çuar përpara paqen, zhvillimin e qëndrueshëm dhe dinjitetin njerëzor për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm".

Pas pritjes zyrtare të krerëve të shteteve dhe qeverive nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteresh, vijon hapja, në të cilën ai do të mbajë një fjalim prezantues. Pas tij tradicionalisht drejtohet një përfaqësues i Brazilit dhe më pas do të flasë presidenti amerikan Xho Bajden, Folësi i tretë është presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Seanca do të drejtohet nga kameruniani Filemon Jong.

Në Asamblenë e Përgjithshme, e cila do të zgjasë deri më 30 shtator, pritet të marrin pjesë 133 krerë shtetesh dhe qeverish, tre nënkryetarë, 80 nënkryetarë qeverish dhe 45 ministra nga vendet anëtare.

Me ftesë të Presidentit të SHBA-së, Xho Bajden, presidentja do të marrë pjesë sot në një takim me temën "Koalicioni global për përballje me kërcënimin nga drogat sintetike", dhe më pas në Takimin vjetor të platformës së grave - lidere të Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me temë “Pjesëmarrja e barabartë e grave në procesin e vendimmarrjes: sigurimi i paqes, mundësitë socio-ekonomike, zhvillimi i qëndrueshëm dhe dinjiteti njerëzor për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm”.

 

Nesër në orët e pasdites sipas kohës së Maqedonisë është parashikuar Siljanovska Davkova të drejtohet në Debatin e përgjithshëm të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Presidentja mbrëmë mori pjesë në pritjen e organizuar nga kancelari i Gjermanisë, Olaf Sholc dhe presidenti i Namibisë, Nangolo Mbumba, me rastin e mbajtjes së Samitit të së ardhmes, i cili u zhvillua gjatë dy ditëve të fundit, si një hyrje në Asamblenë e përgjithshme. 

Në delegacionin e Maqedonisë janë edhe ministrat e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministri i mjedisit jetësor Izet Mexhiti, ndërsa dje në Nju Jork ka mbërritur edhe ministri i Shëndetësisë Arben Taravari. Mucunski sot ka disa takime dypalëshe në Nju Jork.

Nju Jorku këto ditë po jeton nën sigurinë e shtuar policore për shkak të ngjarjeve të Kombeve të Bashkuara dhe të ftuarve dhe delegacioneve të shumta. Që nga fillimi i Samitit të së Ardhmes, disa rrugë në Manhatan janë bllokuar dhe që prej ditës së djeshme numri i tyre është shtuar e me këtë edhe rrëmuja në rrugë. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR