• e diel, 22 dhjetor 2024

Filloi muaji i shenjtë i Ramazanit

Filloi muaji i shenjtë i Ramazanit

Shkup, 23 mars 2023 (MIA) - Besimtarët e konfesionit islam sot në mëngjes e filluan agjërimin e Ramazanit, i cili do të zgjasë 30 ditë dhe përfundon më 20 prill. Gjatë agjërimit besimtarët që nga lindja e diellit e deri në përëndimin e diellit rezistojnë ushqimin dhe pijet.

Sipas religjionit islam, agjërimi, i cili është një nga shtyllat e islamit është i detyrueshëm për të gjithë besimtarët për pastrimin e tyre fizik dhe shpirtëror. Besimtarët duhet të rezistojnë fjalët dhe veprat e këqija me qëllim të pastrimit njerëzor. Agjërimi është detyrim fetar për çdo person të moshës madhore, besimtar mysliman i shëndoshë, por nuk është i detyrueshëm për të sëmurët, gratë shtatzëna dhe punëtorët të cilët bëjnë punë të rënda fizike.

Pas agjërimit të Ramazanit, më 21 prill është Bajrami i Ramazanit, i cili festohet tri ditë. Atëherë e gjithë familja grumbullohet në tryezën festive, ndërsa vizitohen familjarët dhe miqtë. Ramazani është muaji i nëntë i Kalendarit Islamik.

Dita e parë e Bajramit të Ramazanit është festë shtetërore.

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, reis efendi Shaqir Fetai me rastin e fillimit të muajt të Ramazanit ka uruar gjithë besimtarët e fesë islame duke u uruar agjërim të lehtë dhe të pranuar theksoi se mesazhi më i nevojshëm për kohën në të cilën jetojmë, të cilin Ramazani e përcjell në shoqërinë tonë, është mesazhi i paqes, mirësisë dhe humanizmit. Ky mesazh, thekson ai në urim, reflektohet përmes solidaritetit dhe bamirësisë ndaj njerëzve në nevojë, sepse duke mos ngrënë e duke mos pirë e kuptojmë më së miri se çfarë do të thotë të jesh i urryer dhe të jesh i varfër.

"Përmes këtij mesazhi krijohen ura lidhëse mes të pasurve dhe të varfërve, dhe ngjall dashuri dhe simpati në zemrat e njerëzve. Mesazhi i afrimit me njëri-tjetrin po ashtu është një mesazh që po na përcillet nga ky muaj i bekuar. Dinamizmi i kohës moderne si dhe nevojat e ndryshme njerëzore kanë bërë që njerëzit të largohen mes veti, të largohen mes veti edhe anëtarët më të afërt të familjes. Përmes shtruarjes së iftarit dhe syfirit, Ramazani e rikthen bashkimin e familjes, në vijën vertikale dhe atë horizontale. Ai e afron prindin me fëmijët dhe i bën ta ndjejnë afërsinë e njëri tjetrit dhe ta shijojnë kënaqësinë e të qenurit bashkë. Mesazh tjetër shumë i rëndësishëm që po na e përcjell ky muaji i bekuar është ngritja e moralit në shoqëri sepse Ramazani, respektivisht agjërimi i ditëve të tij, agjëruesit ia përmirëson sjelljet e tij duke e larguar atë nga punët e liga, sepse agjërimi nuk është dijetë apo thjesht vetëm largim nga haja, pija dhe epshi, edhe pse këto elemente e përbëjnë aspektin juridik të vlefshmërisë së agjërimit, por qëllimi esencial i agjërimit është ngritja e moralit dhe devotshmeria e njeriut", thotë ai.

Fetai potencoi se Ramazani në shoqëri përçon mesazhin e nxënies së diturisë, shkollimit, arsimimit etj. sepse në këtë muaj u shpall Kur’ani famëlartë. Në këtë aspekt, Ramazani me të drejtë mund të konsiderohet muaj i shkencës, arsimit, librit, lapsit, shkronjave dhe shkrimit. Kuptimi i drejtë dhe esencial i këtij karakteri të Ramazanit, sjell dobi jo vetëm për ne, por edhe për të gjithë njerëzimin, ngase të arriturat shkencore nuk janë monopol i popujve të caktuar, por janë vlera të përgjithshme nga të cilat përfitojnë të gjithë njerëzit.

"Më lejoni që në emër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, organeve dhe institucioneve edukativo-arsimore të saj, si dhe në emrin tim personal, juve dhe bashkatdhetarëve tanë që jetojnë dhe veprojnë në shtetet perëndimore, t`ju uroj Ramazan të lehtë dhe të këndshëm. Dëshiroj që në këtë muaj më fuqishëm t’u kthehemi vlerave të vërteta njerëzore. Të mbisundojë paqa gjithkund nëpër botë, të rritet dashuria për njëri-tjetrin, për familjet tona, për miqtë e shokët, për fqinjët, por edhe respekti dhe toleranca ndaj bashkëqytetarëve tanë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike e fetare. Zoti ju bekoftë!", thotë në urimin e tij Reis Ulema Fetai. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR