• e hënë, 23 dhjetor 2024

Filloi Takimi ministror i PBEJL-së

Filloi Takimi ministror i PBEJL-së

Shkup, 13 qershor 2024 (MIA) - Kryesuesi i Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (SEECP) dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, hapi seancën plenare të Takimit Ministror, i cili mbahet në kuadër të kryesimit tonë njëvjeçar me Procesin, nën moton "Tejkalojmë ndarjet, ndërtojmë besim”.

Siç njoftoi MPJ-ja, Osmani shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) në realizimin e aktiviteteve, ku siç theksoi: “Po lëmë pas nesh një vit të suksesshëm, me arritje të shumta në fushën e bashkëpunimit rajonal, e veçanërisht e rëndësishme është arritja e konsensusit për zgjedhjen e Sekretarit të Ri të Përgjithshëm të RCC-së".

“T’i përmed edhe një herë dokumentet tona themeluese që tregojnë qëllimin bazë të procesit tonë rajonal: “Marrëdhënie të mira fqinjësore, stabiliteti, siguria dhe bashkëpunimi në Evropën Juglindore” dhe aspiratën për “Integrimin e vendeve tona në familjen euroatlantike të kombeve të lira dhe demokratike”, të cilat janë relevante dhe të zbatueshme sot si dhe në të kaluarën”, theksoi Osmani.

Osmani tha se pjesëmarrësit në Proces kanë arritur rezultate të rëndësishme në shumë fusha, por se duhet t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre deri në qëllimin final: anëtarësimin në BE për të gjithë pjesëmarrësit e PBEJL-së.

"Zgjerimi i BE-së është një nga projektet më të suksesshme të paqes në kontinentin evropian, i cili sjell vlerë të pazëvendësueshme në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme dhe arritjen e progresit dhe prosperitetit ekonomik”, theksoi Osmani, duke përsëritur se më shumë integrim para anëtarësimit paraqet zgjidhje adekuate për sfidat shumëvjeçare me të cilat ballafaqohemi.

Pas fjalimit hapës të Osmanit vijojnë fjalimet e shefave të delegacioneve të 13 pjesëmarrësve, përfaqësuesve të BE-së dhe KBR-së, e më pas agjenda vazhdon me miratimin e Raportit Vjetor të KBR-së, diskutimin në temën për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të KBR-së dhe miratimin e Deklaratës së Samitit të shefave të shteteve dhe qeverive të pjesëmarrësve të Procesit të Bashkëpunit të Evropës Juglindore (PBEJL), që do të  mbahet pasdite. bsh/

Fot: MPJ

QËNDRONI TË LIDHUR