• e premte, 05 dhjetor 2025

Filkov: Tani është momenti që BE të tregojë lidership të vërtetë dhe vullnet politik për integrimin e Ballkanit Perëndimor

Filkov: Tani është momenti që BE të tregojë lidership të vërtetë dhe vullnet politik për integrimin e Ballkanit Perëndimor

Shkup, 10 mars 2025 (MUA) - Para nesh është një periudhe e rëndësishme kur duhet të tregojmë vullnet politik, lidership dhe përkushtim për zbatimin e të gjitha këtyre reformave. Bashkimi Evropian dhe institucionet e tij duhet të vazhdojnë të mbështesin këtë ambicie, të tregojnë lidership në zgjidhjen e problemeve dypalëshe dhe rajonale dhe të vazhdojnë mbështetjen e tyre në rrugën e integrimit të Ballkanit Perëndimor. Këtë e theksoi ministri i Drejtësisë Igor Filkov në konferencën ndërkombëtare "Drejt BE-së: Përorcimi i integritetit dhe pavarësisë së drejtësisë penale në Ballkanin Perëndimor" të mbajtur në Lubjanë.

Ai potencoi se vjen nga një shtet dhe komb, i cili ka pothuajse dy dekada që lufton me këmbëngulje për vendin e tij në Bashkimin Evropian.

"Në rrugën drejt këtij qëllimi përfundimtar, ne përballemi me shumë sfida dhe kushte që duhet t'i përmbushim. Por, ashtu siç e dimë të gjithë, keqkuptimet dhe mosmarrëveshjet dypalëshe me fqinjin tonë janë bërë pengesa më e madhe për perspektivat tona evropiane. Dhe do të dakordohemi të gjithë që këto praktika janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian, vlera të cilat janë themeli i integrimit, bashkëpunimit dhe respektimit të shtetit ligjor", theksoi Filkov.

Pikërisht për këtë shkak, siç theksoi ai, tani është momenti kur Bashkimi Evropian duhet të tregojë lidership të vërtetë dhe vullnet politik.

"Duhet të jetë e qartë se ekziston gatishmëri dhe hapësirë ​​për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe midis vendeve kandidate për në BE dhe vendeve anëtare. Jo vetëm brenda kornizës së kritereve të Kopenhagës, por mbi to – në emër të stabilitetit rajonal dhe integrimit evropian", theksoi Filkov.

Sipas tij, tani është momenti i vërtetë për të vënë theksin në fotografinë globale dhe realitetin e ri politik në të cilin gjendet shoqëria bashkëkohore.

"Bashkimi Evropian duhet të tregojë se është gati për sfida të reja dhe se ka kapacitetin për të mbijetuar si një Union i fuqishëm, i bashkuar dhe konkurrues globalisht. Këtë moment nuk duhet ta humbasim. Ne duhet të ecim së bashku. Po bëhet gjithnjë e më e sigurt se nuk do të ketë më asnjë mundësi për t'u kthyer sërish në të njëjtën rrugë. Më shumë kohë për të humbur - nuk kemi! Evropa na pret!", tha në fjalimin e tij, ministri i Drejtësisë.

Filkov, siç kumtoi Ministria e Drejtësisë, u përqëndrua edhe për reformat të cilat po bëhen në sferën e drejtësisë.

"Në muajt e fundit, Republika e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm. Krahas miratimit të ligjeve të rëndësishme, si Ligji për konfiskimin në procedurën civile dhe Ligji për Zyrën e kthimit të pronave, janë ndërmarrë edhe masa për forcimin e institucioneve gjyqësore. Me rëndësi të veçantë janë përgatitjet e Kodit të ri penal dhe Ligjit për procedurën penale, të cilat do të harmonizohen me standardet evropiane dhe praktikën ndërkombëtare. Në këtë moment, në proces është propozimi për raportimin e mbrojtur dhe mbrojtja e informatorëve. Në mënyrë shtesë, i rëndësishëm është procesi i digjitalizimit në sistemin e drejtësisë. Me këtë rast dëshiroj të theksoj rëndësinë e progresit që po bën vendi ynë në drejtim të zbatimit të rekomandimeve nga GREKO-s. Veçanërisht në kontekst të rrethit të 5-të, që ka të bëjë me pushtetin qendror dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme", theksoi ai.

Filkov në konferencë ndau informacionin se në periudhën prej 17-19 mars të këtij viti, në seancën plenare të GREKO-s në Strasburg, pritet të mbyllet rrethi i pestë i vlerësimit për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

"Ky është një sukses i rëndësishëm, sepse nga gjithsej 23 rekomandime të dhëna, 17 janë zbatuar plotësisht, 6 janë zbatuar pjesërisht, ndërsa nuk kemi asnjë rekomandim të pazbatuar. Me këtë, vendi ynë theksohet si një nga vendet që e mbyll më shpejt këtë rreth të vlerësimit", potencoi ministri Filkov. rq/bsh/

Foto: Ministria e Drejtësisë

QËNDRONI TË LIDHUR