Filipçe nga Kumanova: Me LSDM-në dhe Kostovskin tregu do të rikonstruohet, nuk do të shitet
- Tregu në Kumanovë nuk do të shitet, në program është parashikuar rikonstruimi dhe modernizimi i tij, tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili sot së bashku me kandidatin për kryetar komune, Martin Kostovski, dhe kandidatët për këshilltarë u takuan me prodhuesit, shitësit dhe qytetarët në tregun e gjelbër të qytetit.
- Post By Qefsere Abduli
- 15:17, 2 tetor, 2025
Kumanovë, 2 tetor 2025 (MIA) - Tregu në Kumanovë nuk do të shitet, në program është parashikuar rikonstruimi dhe modernizimi i tij, tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili sot së bashku me kandidatin për kryetar komune, Martin Kostovski, dhe kandidatët për këshilltarë u takuan me prodhuesit, shitësit dhe qytetarët në tregun e gjelbër të qytetit.
Ai tha se prodhuesit janë ankuar për mbështetjen e pamjaftueshme nga shteti, ndërsa qytetarët për çmimet e larta, për të cilat Filipçe tha se "fajtorë janë politikat e këqija ekonomike të Qeverisë".
"Të gjithë vetëm ankohen, bujqit dhe shitësit se nuk kanë asnjë mbështetje nga shteti lidhur me prodhimin, se tashmë ndjejnë fuqishëm se subvencionet janë hequr dhe se nuk ka pagesa paraprake. Kjo ndikon seriozisht në prodhim, ndërsa më tej edhe në çmimet e produkteve. Qytetarët thonë se blejnë gjithnjë e më pak dhe e ndjejnë këtë, gjë që tregojnë gjithë periudhën e kaluar, ndërsa këto janë politikat e këqija ekonomike të qeverisë", tha Filipçe.
Filipçe tha se tregu i Kumanovës nuk do të shitet, sipas asaj që i kanë përcjellë disa nga punonjësit që shqetësohen për vendet e tyre të punës, dhe e akuzojnë kryetarin aktual të komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, se kishte planifikuar ta shiste tregun.

Duke folur për programin e LSDM-së për zgjedhjet lokale në Kumanovë, Filipçe theksoi se është parashikuar rikonstruimi i tregut, mbulimi i duhur dhe një garazh nën tokë për kushte më të mira pune. Kryetari i LSDM-së tha se Kostovski ka një program për të rinjtë, për të rriturit, për sipërmarrësit e rinj, gjithçka që nevojitet që Kumanova të bëhet një qytet modern dhe evropian me përmbajtje të ndryshme për të gjithë.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve dhe qëndrimit të tij për deklaratat e kryetarit aktual të komunës, Maksim Dimitrievski, se do të fitojë në raundin e parë, Filipçe tha se është i sigurt për fitoren e Kostovskit, por edhe të kandidatëve të tjerë për kryetarë komunash nga LSDM-ja. Për Kostovskin, ai tha se është favorit për fitore në Kumanovë, pasi është njeri i ndershëm dhe punëtor, i cili i ka kryer detyrat profesionalisht, duke theksuar se "qytetarët tashmë janë të vetëdijshëm dhe nuk do të lejojnë të mashtrohen përsëri".
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se një pjesë e pensionistëve nuk janë të kënaqur me pagesën lineare të pensioneve, Filipçe tha se edhe kjo kategori qytetarësh është "mashtruar" nga pushteti, njësoj si edhe "punëtorët, paga e të cilëve ulet, punonjësit shëndetësorë dhe punonjësit arsimorë që nuk morën rritje rroge, bujqit të cilëve u janë hequr subvencionet dhe ndihma sociale që nuk është rritur".
Ai theksoi se me 1.000 denarët aktualë, pensionistët nuk do të ndiejnë asgjë për shkak të inflacionit dhe tha se kjo është edhe një "fushatë e rreme", duke shtuar se edhe ata kanë mundur të premtonin 6.000 denarë në vitin 2024.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, se kryeministri e ka akuzuar për zhvillimin e një "fushate të zezë", Filipçe tha se një fushatë e tillë po vjen nga pala tjetër. qa/
Foto: MIA