Filipçe: Kemi obligim ndaj qytetarëve që të dëshmojmë se jemi të gatshëm dhe të motivuar dhe se do të luftojmë për të mirën e vendit
- LSDM-ja do ta kthejë vendin në rrugën fituese, për të mirën e Maqedonisë, për të mirën e të gjithë qytetarëve. Kjo është një fitore e përbashkët e të gjithë anëtarëve të Lidhjes Socialdemokrate të cilët besojnë në vlerat e socialdemokratëve – drejtësinë, përparimin dhe barazinë, tha sonte në konferencën për media kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, pasi u zgjodh lider i partisë në zgjedhjet e drejtpërdrejta brendapartiake ku ishte kandidat i vetëm.
- Post By Fami Bajrami
- 23:36, 6 prill, 2025

Shkup, 6 prill 2025 (MIA) - LSDM-ja do ta kthejë vendin në rrugën fituese, për të mirën e Maqedonisë, për të mirën e të gjithë qytetarëve. Kjo është një fitore e përbashkët e të gjithë anëtarëve të Lidhjes Socialdemokrate të cilët besojnë në vlerat e socialdemokratëve – drejtësinë, përparimin dhe barazinë, tha sonte në konferencën për media kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, pasi u zgjodh lider i partisë në zgjedhjet e drejtpërdrejta brendapartiake ku ishte kandidat i vetëm.
Nga gjithsej 23.712 votues të regjistruar, ai ka marrë 18.001 vota, ndërsa 139 fletëvotime kanë qenë të pavlefshme, tha më herët kryetari i Komisionit qendror të zgjedhjeve, Branko Georgievski.
"Fakti që kam fituar dy herë më shumë vota se herën e kaluar është vetëm dëshmi se puna jonë intensive po jep rezultat. Kjo është dëshmi se procesi zgjedhor nuk ishte vetëm teknikisht i organizuar, por është dëshmi se anëtarët tanë besojnë sinqerisht në korrektësinë e politikave që ne kemi udhëhequr gjatë periudhës së kaluar dhe kësisoj do të vazhdojmë. Do të komunikojmë me të gjithë, do të dëgjohet ideja e secilit, do të analizohet mirë dhe nëse është e mirë do të inkorporohet në politikat tona", ka thënë Filipçe.
Ai vlerësoi se detyrat para partisë janë të vështira, duke qenë se fillojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale.
"Do të zgjedhim njerëzit që do të na përfaqësojnë më së miri në zgjedhjet lokale, njerëzit që kanë kredibilitet për të dalë në mjediset e tyre, përballë fqinjëve, përballë miqve dhe në komunat e tyre, njerëz të cilëve mund t'u besohet se politikat dhe programet që premtojnë do të mund t'i realizojnë. Do të kemi punë të vështirë sepse do të luftojmë në shumë komuna me kundërshtarin politik VMRO-DPMNE, për fat të keq kryetarët e tyre nuk refelektojnë politika të mira, po shohim gjithnjë e më shumë skandale korruptive, nuk po i udhëheqin komunat siç duhet", ka thënë Filipçe.
Kjo, sipas tij, më së miri shihet me shembullin e Qytetit të Shkupit që siç tha për shkak të inateve dhe interesave biznesore të kryetares së komunës dhe VMRO-DPMNE-së, nuk ka transport publik, nuk ka rrugë të pastra, nuk ka asnjë projekt në të mirë të qytetarëve dhe prandaj Shkupi duhet të bëhet sërish metropol.
"Kemi edhe një luftë tjetër të vështirë - e ajo është të luftojmë kundër kësaj qeverie të VMRO-DPMNE-së, ZNAM-it dhe VLEN-it e cila në dhjetë muajt e fundit vetëm ka treguar se nuk mund të përballet me problemet, se gjithçka që ka thanë është gënjeshtër, se nuk realizoi asnjë premtim, qeveri më të paaftë vendi deri tani nuk ka pasur asnjëherë", tha ai.
Prandaj, tha ai, kemi për obligim t'u tregojmë qytetarëve se jemi të gatshëm dhe të motivuar, se dimë, jemi në gjendje dhe do të luftojmë për të mirën e vendit dhe se do ta kthejmë atë në rrugën evropiane.
Zgjedhjet brendapartiake për kryetar të LSDM-së paraprakisht ishin caktuar për 16 mars, por janë shtyrë për shkak të tragjedisë në Koçan.
Filipçe u zgjodh kryetar në qershor të vitit të kaluar në zgjedhjet e jashtëzakonshme që LSDM i organizoi pas dorëheqjes së Dimitar Kovaçevskit për shkak të rezultatit historikisht më të keq në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Atëherë kundërshtarë të tij ishin Jovan Despotovski dhe Aleksandar Baidevski, ndërsa Sllavjanka Petrovska u tërhoq nga gara një ditë para zgjedhjeve. Filipçe do të ketë mandat katër vjeçar.
Foto: MIA