• e hënë, 23 dhjetor 2024

Filipçe: Etnizimi i shkencës nuk sjell cilësi

Filipçe: Etnizimi i shkencës nuk sjell cilësi

Shkup, 21 tetor 2024 (MIA) – Etnizimi i shkencës nuk sjell kurrfarë cilësie, ndërsa disperzimi i institucioneve shkencore do të nënkuptonte edhe më shumë ulje të cilësisë së shkencës. Kështu lideri i LSDM-së opozitare Venko Filipçe e komentoi nismën e Koalicionit “VLEN” për formimin e akademisë shqiptare të shkencave dhe arteve. 

Në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve sot në konferencën për media në Kuvend ai tha se që të ketë progres në shkencë do të duhej të rriten mjetet kushtuar veprimtarisë shkencore – hulumtuese, përderisa formimi i akademisë shqiptare të shkencave dhe arteve do të nënkuptonte vetëm ulje të cilësisë së shkencës. 

“Ne e dënojmë ashpër etnizimin e shkencës, besojmë se nuk sjell absolutisht cilësi. Fragmentimi dhe shpërndarja shtesë e institucioneve të tilla shkencore mund të zvogëlojë më tej cilësinë e shkencës. Një investim i vërtetë në shkencë do të nënkuptonte rritje të parave të dedikuara kryesisht për kërkimin shkencor sepse kjo është mënyra në vendin tonë që shkenca të ketë një lloj përparimi”, tha Filipçe.

Ndarja e mjeteve nga buxheti i komunave për formimin e akademisë shqiptare të shkencave dhe arteve është i paligjshëm, theksoi Filipçe dhe nëse ka veprime të tilla nga ana e komunave të cilat paralajmëruan se do ta mbështesin nismën e tillë, Ministria e Financave duhet t’i bllokojë ato buxhete. 

“Në interpretimin e ligjeve për vetëqeverisjen lokale nuk shohim mundësi ligjore për atë që e paralajmëruan komunat si Tetova dhe Gostivari, se ato mund ta bëjnë këtë. Për këtë i bëjmë thirrje ministres së Financave, nëse ka paralajmërim për ndonjë shpenzim të paligjshëm të buxhetit, gjegjësisht për diçka për çka ata nuk kanë leje, ato buxhete të bllokohen”, tha Filipçe.

Për emërimin e drejtorit të ri të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Filipçe tha se përfaqëson rrëmbim partiak të institucioneve më serioze në sferën e sigurisë.

“Ajo që bëri kryeministri dhe Qeveria duke emëruar drejtorin e ri të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare është një mënyrë diktature, me të cilën bënë një rrëmbim partiak të një prej institucioneve më serioze në fushën e sigurisë, që është Agjencia e Sigurisë Kombëtare. Ne shpenzuam shumë kohë dhe investime për profesionalizimin e këtij institucioni dhe hapat e parë në këtë drejtim filluan me negociatat dhe bisedimet e Përzhinës. ASK është bërë institucion ku punojnë profesionistë të shkëlqyer, për të cilët emërimi i personelit të tillë nuk do të thotë gjë tjetër veçse një formë poshtërimi”, tha Filipçe.

Ai paralajmëroi se partia do t’i njoftojë të gjithë partnerët strategjikë dhe do të kërkojë mendim adekuat dhe reagim nga ana e tyre dhe njëkohësisht i bëri thirrje presidentes së shtetit Gordana Siljanovska – Davkova që ta ndalojë bashkimin e paralajmëruar të ASK-së me Agjencinë e Zbulimit.

“I bëj thirrje edhe presidentes Siljanovska-Davkova që të marrë qëndrim dhe të ndalojë bashkimin e paralajmëruar të ASK-së me Agjencinë e Zbulimit. Të mos heqë dorë nga kredencialet për faktin se ka një njoftim të tillë për partizimin e këtij institucioni. Kjo do të thotë rritje shtesë e kapaciteteve të ASK-së, nëse ajo do të shkrihej sipas njoftimeve të kryeministrit. Do të jetë një institucion shumë i rëndë që do të jetë i vështirë për t'u kontrolluar, siç e kemi parë në të kaluarën në vitin 2016 se çfarë dhe si është përdorur”, tha lideri i LSDM-së opozitare. fc/

Fotografia: LSDM

QËNDRONI TË LIDHUR