Filipçe: Deri në fund të vitit për 30 për qind do të zvogëlohet numri i të punësuarve në zonat e investimeve të huaja
- Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp, kritikoi politikat ekonomike të Qeverisë, duke thënë se po merr informacione për një numër gjithnjë e në rritje të pushimeve nga puna të punësuarve nga zonat e investimeve të huaja, që kërcënon seriozisht jetesën e mijëra familjeve.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 14:52, 13 nëntor, 2025
Shkup, 13 nëntor 2025 (MIA) - Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp, kritikoi politikat ekonomike të Qeverisë, duke thënë se po merr informacione për një numër gjithnjë e në rritje të pushimeve nga puna të punësuarve nga zonat e investimeve të huaja, që kërcënon seriozisht jetesën e mijëra familjeve.
"Qeveria e kryeministrit Mickovski dhe VMRO-DPMNE jo vetëm që nuk ka arritur të sjellë investime të reja të huaja siç paralajmëruan, për fat të keq po mbyllen edhe ato që kanë punuar këtu me vite. Tashmë kemi dëgjuar se dy kompani të mëdha që kanë punuar në zona industriale me vite po paralajmërojnë mbylljen e fabrikave të tyre në vend. Kompania Aptiv, e cila që nga viti 2016 punon këtu me 500 punonjës, dhe Dura Automotive Systems, e cila duhej të realizonte atë që kishte paralajmëruar më parë - një investim të ri, por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur tani. Pra, nuk ka zgjerim, nuk ka vende pune, kjo kompani ka njoftuar ndërprerjen e investimit", tha Filipçe.
Siç tha Filipçe, me këtë trend negativ, gjegjësisht nga largimet e mëparshme dhe ato që janë shpallur deri në fund të vitit, për rreth 30 për qind do të zvogëlohet numri i të punësuarve në zonat me investime të huaja.
"Ky është një numër i madh dhe një humbje e madhe vendesh pune. Nëse kësaj i shtojmë faktin se dhjetëra kompani në industrinë tekstile, kompanitë tona vendase, janë mbyllur muajt e fundit, arrijmë në numrin e mijëra njerëzve, familjeve, ekzistenca e të cilëve është e kërcënuar, të cilët përballen me pasiguri", tha Filipçe.
Ai shtoi se çdo qeveri përgjegjëse kur ka një problem të këtillë duhet të gjejë një zgjidhje ose të paktën të propozojë zgjidhje për t'iu përgjigjur sfidave të tilla, por VMRO-DPMNE nuk po e bën këtë dhe nuk po e adreson aspak, tha Filipçe.
Me pushtetin e kryeministrit Hristijan Mickoski, sipas tij, vendi po përjeton një rënie dramatike ekonomike, e cila, siç thotë, "shihet edhe kolapsin e investimeve të huaja".
"Pasi kryeministri mbaroi me fotografim me investimet tona, duke zbukuruar pendët e të tjerëve, tani që realiteti i paaftësisë së tij ka ardhur, kemi tre herë më pak investime të huaja të sjella. Në vend të stabilitetit, zhvillimit dhe rritjes ekonomike, shohim ngecje, rënie dhe mosinteres të plotë nga ana e Qeverisë", tha Filipçe.
Në konferencën për shtyp, lideri i partisë opozitare foli edhe për paratë për IPARD. "Deri më tani janë lidhur 453 kontrata me një vlerë 35 milionë euro, nga të cilat vetëm dhjetë janë paguar. Për momentin, 180 investime me vlerë mbi 25 milionë euro janë prekur drejtpërdrejt, 30 milionë euro të tjera nga këto projekte janë ndaluar", tha Filipce. Sipas tij, ky rast konfirmon atë që theksuan se "kjo qeveri është thellësisht e korruptuar". Kjo, tha Filipce, është në dëm të bujqve për të cilët, thotë, ka edhe çmime të ulëta blerjeje dhe subvencione dhe se ata kanë qenë nën presion dhe korrupsion të vazhdueshëm.
Sipas tij, pushteti nuk po kërkon zgjidhje për këto probleme, por po merret vetëm me LSDM-në.
Foto: LSDM