• e premte, 06 shtator 2024

Fidan: Zgjidhjen e problemeve rajonale nuk duhet ta presim vetëm nga faktorët e jashtëm, duhet të përpiqemi vetë

Fidan: Zgjidhjen e problemeve rajonale nuk duhet ta presim vetëm nga faktorët e jashtëm, duhet të përpiqemi vetë

Shkup, 5 shtator 2024 (MIA) - Zgjidhjen e problemeve rajonale nuk duhet ta presim vetëm nga faktorët e jashtëm dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ne si vende të rajonit duhet të përpiqemi t'i zgjidhim vetë problemet tona. Të presim që dikush tjetër të vijë dhe të zgjidhë problemet tona është mënyra më e lehtë, por në këtë mënyrë ato nuk zgjidhen as në mënyrën dhe as me ritmin që presim, theksoi ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vend.

I pyetur për çështjet e hapura në Ballkan dhe cila është qasja e Turqisë, Fidan tha se, jo vetëm në Ballkan, por edhe në rajone të tjera gjeografike, Turqia është veçanërisht e ndjeshme ndaj temës së "përvetësimit rajonal".

"Problemet politike me të cilat ballafaqohemi në Ballkan janë probleme të trashëguara nga historia dhe ne kemi të vetmen mënyrë që këto probleme t'i zgjidhim në mënyrë paqësore, me dialog dhe të bëjmë gjithçka në atë drejtim. Në të kaluarën e afërt kemi shumë shembuj të trishtë, kur lufta dhe konfliktet na sjellin rrënoja", deklaroi Fidan pas takimit me nikoqirin e tij Timço Mucunski.

Turqia, theksoi Fidan, ka qasje aktive për zgjidhjen e problemeve në rrugë paqësore dhe me dialog, si në Bosnje e Hercegovinë, ashtu edhe për procesin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ballkani në 20 vitet e fundit, në mënyrë shumë trishtuese, ka pasur shumë përvoja të dhimbshme, tha Fidan, duke theksuar se nuk duhet të mendojmë vetëm për përfitime personale, por të bëjmë një qasje sistematike për rritje të madhe dhe mirëqenie të të gjithë rajonit.

"Nëse kemi sukses në këtë, politikat identitare që na janë imponuar nga e kaluara dhe përballjet e tyre shkatërruese, mendoj se mund t'i eliminojmë dhe në këtë mënyrë të gjithë popujt e rajonit do të mund të ruajnë identitetin e tyre, të gjitha shtetet do të ruajnë identitetin e tyre, sovranitetin dhe integritetin territorial dhe ne do të mund të jetojmë në paqe. Por ne duhet të jemi të virtytshëm, atë që duam për veten tonë, në të njëjtën masë duam edhe për tjetrin. Kur të arrijmë atë nivel, besoj se do të arrihet paqja në rajon", deklaroi Fidan. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR