FFM-ja dënon Shkëndijen me pesë ndeshje në shtëpi pa spektatorë
- Komisioni disiplinor pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë ka marrë vendim që KF Shkëndija të dënohet për pesë ndeshjet e ardhshme në shtëpi pa praninë e spektatorëve.
- Post By Fami Bajrami
- 14:39, 5 prill, 2025

Shkup, 5 prill 2025 (MIA) - Komisioni disiplinor pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë ka marrë vendim që KF Shkëndija të dënohet për pesë ndeshjet e ardhshme në shtëpi pa praninë e spektatorëve.
Vendimi është marrë për shkak të sjelljes së pahijshme të tifozëve dhe mosbindjes me një minutë heshtje gjatë ndeshjes KF Shkëndija – KF Brera të xhiros së 25-të të Ligës së parë të luajtur fundjavën e kaluar.
Gjithashtu, klubi i Shkëndijës është dënuar me 5 mijë euro gjobë për shkak të organizimit të dobët të ndeshjes.
Komisioni disiplinor poashtu ka marrë vendim që delegati i ndeshjes KF Shkëndija – KF Brera, Goce Shopovski nga Struga të suspendohet për gjashtë muaj nga kryerja e ndonjë funksioni në futboll për shkak të mosrespektimit të protokolleve të parapara organizative.
"FFM në raste të tilla apo të ngjashme nuk do të jetë tolerante ndaj asnjë klubi dhe pret përgjegjësi maksimale nga të gjitha klubet dhe zyrtarët. Delegatët e garave kanë të përcaktuara qartë protokollet dhe të gjitha instrumentet e nevojshme për të vepruar në situata të tilla. FFM-ja u jep atyre mbështetje të plotë në aplikimin dhe vendosmërinë në veprim. Brohoritjet nacionaliste apo çfarëdo forme diskriminuese nuk do të tolerohen dhe do të sanksionohen ashpër sipas rregulloreve në fuqi", thekson FFM.
Shopovski në ndeshjen në Tetovë nuk ka vepruar në lidhje me sjelljen e tifozëve dhe sipas protokolleve për organizimin e ndeshjeve të cilat parashikojnë zbrazjen e tribunës në raste të tilla.
KF Shkëndija gjobitet automatikisht në shumën prej 1.000 euro për pengimin e një kameramani në kryerjen e detyrës.