• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Fetai: Tani qasja është ndryshe, Kuvendi i partisë do të mblidhet çdo tre muaj

Fetai: Tani qasja është ndryshe, Kuvendi i partisë do të mblidhet çdo tre muaj

Shkup, 24 dhjetor

Zëvendëskryeministri, njëherit kryetar i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Fetai në një paraqitje në Daily Click në Tv21, ka theksuar se me kryesinë e re të partisë, do të funksionojnë krejtësisht ndryshe. Sipas tij kuvendi i partisë do të jetë organ ku kuvendohet, por edhe raportohet për punën e funksionarëve të partisë që janë në ekzekutiv.

“Për mua personalisht të qenurit kryetar i kuvendit të partisë është një nderë. Keni parasysh edhe periudhën paraprake me atë pozicion, ose me njeriun që  barte atë pozicion kemi patur telashe, një periudhë pak traumatike sepse zotëriu në fjalë refuzonte ta thërriste kuvendin për më tepër se një vit, duke mohuar kështu vendimmarrjen partiake. Tani qasja është krejtësisht e kundërt, Kuvendi i partisë do të mblidhet në baza tre mujore për të siguruar raportim, transparencë rreth çështjeve financiare të partisë, transparencë rreth punës së zyrtarëve tonë në qeverisje. Këtë uikend, të dielën do të fillojmë këtë proces, sot në fakt kemi thirrur mbledhje të kuvendit të partisë ku funksionarët do të raportojnë për gjashtë muajt e para në qeverisje, dhe kësisoj do të sigurohemi që kuvendi i partisë të jetë organ ku kuvendohet”, ka theksuar Fetai.

Fetai: BE-ja është pjesë e agjendës tonë

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, Fetai tha se e kanë mbajtur mbajtur këtë temë aktuale që nga dita e parë e qeverisjes.

“Ne e mbajmë këtë temë në agjendë dhe vazhdojmë ta mbajmë. Edhe kryetari Taravari ka thënë se VLEN do të duhet të ulen bashkërisht dhe të definojnë hapat e radhës. Në Bullgari vazhdon të ketë destabilitet politik, sepse ende nuk kemi një qeveri të fuqishme politike dhe nuk kemi bashkëbisedues atje. Ne kemi dashur që në Bullgari të kemi një partner që të futemi në dialog që të marrim një lloj garanci që pas ndryshimeve kushtetuese të mos kemi veto tjetër gjatë rrugës, kjo është qëndrimi ynë i përbashkët. Pa VMRO-në nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, LSDM e patë që edhe në sondazhe renditet e katërta dhe kanë telashe nga brenda”, deklaroi Fetai.

Pra, siç tha ai, duhet të ulemi me VMRO-në për këtë çështje.

“Ne e dimë se cilat janë detyrimet tona, por me një element garance nga autoritetet e BE-së në mënyrë që të kemi garancë që pas kësaj që vazhdojmë sipas kornizës negociuese. Koalicioni VLEN ka organe koordinuese. Kryetrarët mblidhen në baza javore. Ne ua lëmë në dorë kryetarëve që të definojnë hapat e radhës. Ka sinjale dhe kontakte në nivele të ndryshme”, u zëvendëskryeministri.

Ai gjithashtu shtoi se Maqedonia e Veriut ka pritur vite me radhë për anëtarësim në BE, derisa LSDM e BDI kanë festuar datën e negociatave qysh në vitin 2017, dmth ka qenë një farsë. Ai mes tjerash potencoi se do ti shqyrtojnë gjitha opsionet, “Ne jemi vetëm gjashtë muaj qeverisje, na leni pak hapësirë të veprojmë”, tha Fetai.

Fetai: BDI nuk ka luksin të flet për çështje të mëdha, është opozitë kriminogjene

Fetai në një deklaratë për Daily Click ka theksuar se ballafaqohen me një opozitë kriminogjene dhe pa kredibilitet. Ai tha se BDI tanimë ka tre njerëz të futur në listën e zezë amerikane.

“Kjo opozitë që është kriminogjene dhe e diskredituar dhe tani e futur edhe në listën e zezë, këta më nuk e kanë legjitimitetin më të vogël të flasin për politika të mëdha që kanë të bëjnë me integrimin europian. Në këtë drejtim ne e kuptojmë pse ata duan të defokusojnë opinionin, thirrje e tyre për zgjedhje të parakohshme i kemi dëgjuar qysh nga dita e parë, që nuk ka qenë e ndershme. Kemi zgjedhje lokale vitin e ardhshëm, dhe kam frikë se këta do të duhet të presin ta përfundojmë mandatin dhe pastaj të kemi zgjedhje, ata duhet të pastrohen nga njerëzit që kanë rreth vetes aty. BDI tanimë ka 3 njerëz në listën e zezë që ishin persona të afërt të kryetarit të partisë”, tha Fetai.

Fetai: BDI po mbet e vetme, ish-zyrtarët e tyre po ikin

Zëvendëskryeministri  për Çështje Evropiane në një intervistë për TV Koha ka deklaruar se tani më Fronti Evropian e ka një deputet më pak i cili funksionon jashtë trungut të FE-së, derisa edhe të tjerët pritet të largohen.

“Dita ditës BDI, veçanërisht tash pas futjes së Artan Grubit në listën e zezë të SHBA-së, dhe rritjes së numrit të njerëzve nga BDI që janë shpallur non-grata nga SHBA-ja, shohim më shumë se partitë e vogla që gravitojnë rreth BDI-së do largohen nga ky koalicion i cili ishte një koalicion vetëm të pushteti. Pra, nuk kishte asnjë parim, as një lloj ideologjie apo program që i bashkon. Ata garuan pa program, pra programi i tyre i vetëm ishte mbajtja e pushtetit me çdo kusht”, tha Fetai.

Kështu që, siç tha Fetai, ata mblodhën atë çka mblodhën dhe tani janë në një situatë krejt tjetër, ku presioni mbi BDI-në është shumë i madh, ku shohim arrestime dhe ikje të ish-zyrtareve të tyre.

Fetai: Qeveria do të definojë hapat e radhës drejtë BE-së

Fetai ka folur rreth ndryshimeve kushtetuese dhe anëtarësimit të vendit në BE. Fetai tha se ne duam që ndryshimet kushtetuese të ndodhin gjatë kësaj periudhe dhe e kemi pasur synim që negociatat të fillojnë gjatë kësaj periudhe.

“Por që fatkeqësisht ne e dimë edhe realitetin e numrave. E vërteta është se partitë tjera janë për ndryshimet kushtetuese, por që pa VMRO-DPMNE, nuk bëhen këto ndryshime kushtetuese. Duhet të ulen kryetarët e koalicionit VLEN dhe të definojnë hapat e mëtutjeshme të VLEN-it. Ne kemi besuar se do të kemi një zgjidhje më të shpejt të ngërçit politik në Bullgari”, tha Fetai.

 Pra, siç tha ai , çështja bilaterale duhet të zgjidhet bashkë me partnerët tanë në BE, ShBA dhe me Bullgarinë.

“Të dakordohemi dhe të gjejmë një zgjidhje inovative për futjen e bullgarëve në kushtetutë por të marrim edhe një garanci që pas këtij kushtëzimi më nuk do të kemi kushtëzime të reja bileterale me Bullgarinë dhe mund të ecim këtë procese me BE-në ”, nënvizoi zëvendëskryeministri.

Fetai: Instaluam qasje të re në Qeverisje, arrestuam pa dallim të gjithë ata që përdhosen dhe dogjën flamur

Ai, duke folur rreth tentimeve rreth destabilizimit të vendit, ai ka thënë duhet të bëhet e qartë se tanimë Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s. 

“Askush nuk guxon të cenoj sigurinë e RMV-së. Natyrisht këtu kemi ndikime malinje nga ana e Rusisë, dashakeqe. E cila dëshiron të minojnë stabilitetin e vendit nga brenda duke përdorur figura kontroverse në vend. Çështja nuk është te siguria sa është te stabiliteti. Unë dua t’i kujtoj qytetarët se me 22 nëntor qeveria për herë të parë mbajti mbledhje solemne për ta shënuar këtë ditë në qeveri. Për të vazhduar me 28 nëntor ku kishim festime në të gjithë anët e vendit dhe kishte seancë në Parlament, ku pati fjalim edhe kryeministri dhe e uroj këtë ditë”, deklaroi Fetai.

Zëvendëskryeministri shtoi se fatkeqësisht që nga fillimi i Qeverisë së re kemi parë elemente për destabilizim nga faktorë të ndryshëm, qoftë ato ekstremiste nga pala maqedonase si Levica që organizojnë grupe të caktuara në rrjete sociale për të shpërndarë gjuhë të urrejtjes dhe klimë që minon bashkëjetesën.

“Pastaj ndodhën edhe rastet me djegie dhe përdhosjen e flamurëve kombëtar dhe shtetërorë. Dhe këtu për herë të parë patëm qasje të re të Qeverisë. Ku u arrestuan pa dallim të gjithë ata që përdhosen dhe dogjën flamur. Dhe të gjithë pa dallim do të dënohen sipas Kodit Penal të vendit”, tha Fetai.

Shtoi se për herë të parë kemi policë të cilët përdhosën flamurin shqiptar, për të cilën u hap lëndë nga kontrolli i brendshëm i policisë dhe procedura është duke ecur dhe deri në fund të vitit ata dy policë do të mbajnë përgjegjësi për veprën e tyre.

Fetai: Fatkeqësi që 23 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, Gjuha Shqipe të përkufizohet me përqindje

Fetai, në intervistë tha se gjuha shqipe me kushtetutë të vendit është zyrtare, por ajo ende përkufizohet me përqindje dhe nuk është e barabartë me gjuhën maqedonase.

“Është fatkeqësi që 22 vite pas Marrëveshjes së Ohrit jemi ende me definicione të përqindjes. Dihet që subjekti i ASH-së, në momentin kur vendi e ndryshoi emrin, kemi kërkuar që të hiqet 20% por nuk kemi gjetur mirëkuptim nga BDI. Të cilët thoshin se nuk duhet t’ju japim alibi maqedonaseve për të mos e votuar ndryshimin e emrit”, u shpreh Fetai.

Zëvendëskryeministri Fetai, tha se Ligji i fundit është sjellë në vitin 2017 me insistim të ASH-së, i cili ishte si kushte për 100 ditët e para të qeverisë.

“Por BDI bashkë me LSDM-në e dërgoi ligjin në Komisionin e Venecias. Ata japin mendime dhe sugjerime dhe nuk japin mendime në aspektin e kushtetutshmërisë të ligjit Ajo Gjykatë Kushtetuese është produkt i qeverisë BDI-LSDM. Pra edhe njëri nga deputetët e tanishëm të BDI-së, Sali Murat, ka qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese, dhe lëndët e këtij ligji janë lënë në sirtarë dhe është lënë si barrë pikërisht nga ana e tij”, tha Fetai.

Ai gjithashtu shtoi se Gjykata Kushtetuese e ka kuptuar peshën e këtij Ligji dhe me të drejtë e ka lënë të vendoset me një dëgjim publik ku do të ftohen profesorë dhe akademikë. 

Arben Fetai, zëvendës kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut

____________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

QËNDRONI TË LIDHUR