• e hënë, 23 dhjetor 2024

Fetai për MIA-n: Kërcënimi me vdekje ndaj meje është reflektim i polarizimit në shoqëri, kjo qasje qyqare e njerëzve të frustruar duhet të ndëshkohet

Fetai për MIA-n: Kërcënimi me vdekje ndaj meje është reflektim i polarizimit në shoqëri, kjo qasje qyqare e njerëzve të frustruar duhet të ndëshkohet

Bruksel, 8 nëntor 2024 (MIA) - Kërcënimi për jetën që kam marrë në emailin tim zyrtar është pasqyrë e polarizimit të shoqërisë sonë, sepse është dërguar pas deklaratës time për definicionin e gjuhës shqipe në Kushtetutë, deklaroi për MIA-n zëvendëskryeministri për politika të qeverisjes së mirë, Arben i cili po qëndron për vizitë pune në Bruksel.

"Fatkeqësisht, siç informova mbrëmë, pas deklaratës sime në media së bashku me ambasadorin e BE-së Mihalis Rokas në emailin tim mora kërcënim me vdekje për një pjesë të deklaratës që ka të bëjë me ndryshimin e definicionit të ‘20 përqindëshit’ për gjuhën shqipe në Kushtetutë. Më janë kërcënuar me plumb në kokë dhe kam marrë porosi të tipit ‘shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur’ se ‘të gjithë shqiptarët do të vriten’ dhe se ‘20 përqindëshi asnjëherë nuk do të shfuqizohet në Kushtetutë’”, ka theksuar Fetai.

Ai ka shtuar se rastin e ka denoncuar menjëherë dhe ka telefonuar ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski me qëllim që MPB-ja të ndërmarrë masat e nevojshme.

"Do të kërkoj edhe rritje të sigurisë për sa i përket sigurisë time personale nga ministritë kompetente. Për porosinë e kam informuar edhe kryeministrin dhe do të ndërmarr të gjitha masat e nevojshme, duke përfshirë identifikimin e kërcënuesit dhe padinë, sepse siç e dimë me ligjet tona, veprime të tilla, kërcënime të tilla dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet”, ka thënë zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë.

Fetai ka thënë se autori i këtij kërcënimi do të identifikohet dhe do të marrë dënimin e merituar, sipas dispozitave ligjore në fuqi, sepse, sipas tij kërcënime të tilla, “nuk duhet të tolerohen, sidomos si në këtë rast që është një kërcënim për zëvendëskryeministrin”.

"Kjo tregon nivelin e shoqërisë sonë. Kur dikush guxon të kërcënojë drejtpërdrejt zëvendëskryeministrin, mund ta imagjinojmë se çfarë mund të ndodhë me funksionarët e nivelit më të ulët ose me qytetarët e thjeshtë. Prandaj, kjo qasje qyqare e njerëzve të frustruar me tendenca ekstremiste duhet të ndëshkohet dhe të dërgohet porosi se gjëra të tilla nuk tolerohen në kuadër të qeverisjes sonë dhe nuk guxojnë të tolerohen nga organet shtetërore", ka thënë Fetai në një deklaratë për MIA-n.

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR