• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Fëmijët e Qendrës "Savanti" vizituan mjediset e Radio Shkupit

Fëmijët e Qendrës

Shkup, 22 mars 2023 (MIA) - Për nder të Ditës Botërore të Fëmijëve me Sindromën Daun dhe fillimit të muajit të Ramazanit, kryeredaktorja e Servisit të Tretë Programor - Radio Shkupi, programi në gjuhën shqipe, Valbona Zunçe Pajaziti, sot zhvilloi një aktivitetet modest për t'u solidarizuar me këta fëmijë dhe familjarët e tyre.

"Këta fëmijë janë yjet më të vaçanta në mesin tonë, janë yjet që na çojnë të shohim ngjyrat përtej horizontit. Ishte knaqësia jonë t’i kemi këta fëmijë këtu për t’i njoftuar me ambientet ku punojnë përfaqësuesit e mediave shqiptare. Të shohin ku incizojmë, si bëhet një incizim, të shohin si punojmë. Mbase mundet që në të ardhmen ndonjëri prej tyre të bëhet pjesë e radios”, tha në fjalën e saj ideatorja dhe organizorja e këtij aktiviteti Pajaziti.

Drejtuesja e Qendrës për shërbime psikologjike, defekte logjike dhe logopedike "Savanti", Hatixhe Sefa u shpreh se ishte gëzim për fëmijët kur dëgjuan se do të shkojmë në radio-televizion.

"Gjatë gjithë kohës fëmijët përshpëritnin plot entuziazëm, po shkojmë në radio, do të recitojmë ndonjë vjershë. Kjo iniciativë e zonjës Valbona, është një motivim për ne, sepse dha mesazh të rëndësidhëm në shoqërinë tonë se edhe këta janë të vyeshëm dhe të rëndësishëm në këtë shoqëri", deklaroi Sefa.

Psikologia klinike Ledja Habilaj foli për atë se sa i rëndësishëm është angazhimi i shoqërisë dhe institucioneve për këta fëmijë.

"Kujdesi ynë për femijët me aftësi ndryshe duhet të fokusohet në ofrimin e një disipline pozitive ,të një terapie adekuate për nevojat e fëmijëve si dhe të bazohemi mbi parimet e diversitetit dhe jo të paaftësisë për të pasur një shëndet të mirë fizik, mendor dhe një fëmijëri sa më të lumtur, gjithashtu shteti duhet të bëjë disa ndryshime në ofrimin e kurseve duke lehtësuar të kuptuarit e fëmijës, mund të futen artikuj shtesë për të ndihmuar në përmirësimin e aftësive motorike të përgjithshme, duhet të ofrohen trajnime për të ndihmuar fëmijët që të ndërgjegjësohen për veten si anetarë të kësaj shoqerie ta rrisin vetëvlerësimin dhe të fitojnë besim te vetja dhe aftësitë që ata i kanë", tha ajo.

Me këtë rast fëmijëve ju ndanë dhurata libra elektronikë me tinguj dhe shkronja të alfabetit tonë, dhe një fond librash për bibliotekën e kësaj shoqate. Këtë projekt Servisi tretë programor Radio Shkupi, Programi në Gjuhën Shqipe e Realizoi në bashkëpunim me Myftininë e Shkupit, FRI dhe SHB "Albas" Tetovë. shk/

QËNDRONI TË LIDHUR