• e shtunë, 04 janar 2025

Eurointegrimet dhe reformat prioritare, temë bisede mes Fetait dhe Sarazin

Eurointegrimet dhe reformat prioritare, temë bisede mes Fetait dhe Sarazin

Shkup, 27 nëntor 2024 (MIA) - Prioritetet strategjike të Qeverisë në kontekst të integrimit evropian ishin tema të bisedës së zëvendëskryeministrit të angazhuar për politika të sundimit të mirë, Arben Fetai me përfaqësuesin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin.

Në takim, informojnë nga Kabineti i zëvendëskryeministrit, u këmbyen mendime mbi nevojën për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që mbetet një objektiv strategjik për Maqedoninë e Veriut.

Gjatë bisedës, Fetai theksoi përkushtimin e fortë të Qeverisë për avancimin e reformave kyçe, siç janë forcimi i shtetit ligjor, intensifikimi i luftës kundër korrupsionit dhe ndërtimi i institucioneve demokratike të qëndrueshme dhe funksionale.

Theks i veçantë iu vu ruajtjes dhe përparimit të harmonisë ndëretnike, si dhe promovimit të diversitetit gjuhësor – vlera që përbëjnë bazën e kohezionit shoqëror dhe zhvillimit të vendit.

Përfaqësuesi i posaçëm Sarazin nënvizoi rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve që dalin nga Korniza Negociuese dhe inkurajoi autoritetet në Maqedoninë e Veriut të shfrytëzojnë momentin e favorshëm për nisjen e negociatave për anëtarësim. Ai theksoi se brenda BE-së ekziston konsensus i gjerë për nevojën e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. ab/

Foto: Qeveria

QËNDRONI TË LIDHUR