• e hënë, 20 janar 2025

Eurodeputetët miratuan përbërjen e Komisionit të ri Evropian

Eurodeputetët miratuan përbërjen e Komisionit të ri Evropian

Bruksel, 27 nëntor 2024 (MIA) - Parlamenti Evropian sot me 370 vota “për”, 282 “kundër” dhe 36 “të përmbajtur” miratoi përbërjen e re të Komisionit Evropian të Ursula fon der Lajenit.

Për të kaluar, Komisioni Evropian duhej të merrte mbështetjen e shumicës së eurodeputetëve që votuan ose në këtë rast 345 vota.

Pas miratimit të përbërjes së KE-së, kryetarja e PE-së, Roberta Mecola nënshkroi letrën që konfirmon përzgjedhjen dhe ia dorëzoi Fon der Lajenit.

Votimit i parapriu fjalimi i Fon der Lajenit para PE-së kushtuar përbërjes dhe programit të punës së Komisionit të ri Evropian ku vijoi debat në të cilin përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare dhanë qëndrimet e tyre në lidhje me kandidatët e propozuar për komisarë evropianë dhe program.

Komisioni i ri Evropian përbëhet nga 27 anëtarë - nga një në çdo shtet anëtar të BE-së - kryetaren Fon der Lajen, gjashtë nënkryetarë dhe 20 eurokomisarë.

Spanjollja Tereza Ribera Rodrigez e Spanjës do të jetë zëvendëskryetare ekzekutive për Tranzicionin e pastër, të drejtë dhe konkurruese dhe eurokomisare për politikat e konkurrencës, Hena Virkunen nga Finlanda do të jetë zëvendëskryetare ekzekutive për teknologjinë, sovranitetin, sigurinë dhe demokracinë dhe eurokomisare për teknologjitë digjitale, ndërsa francezi Stefan Sezhurne do të jetë zëvendëskryetar ekzekutiv për prosperitet dhe strategji industriale dhe eurokomisar për industrinë, ndërmarrje të mesme dhe të vogla dhe tregun e vetëm.

Tre nënkryetarët e tjerë ekzekutivë do të jenë rumunja Roksana Manzatu e ngarkuar për aftësitë dhe formimin profesional të njerëzve e cila njëherësh do të jetë edhe eurokomisare për aftësitë, arsimin, kulturën, punët cilësore dhe të drejtat sociale, italiani Rafaele Fito do të jetë përgjegjës për kohezionin dhe reformat dhe eurokomisar për politikat kohezive, zhvillimin rajonal dhe qytetet, ndërsa estonezja Kaja Kallas, si përfaqësuese e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri...

Tani mbetet që Këshilli i BE-së me shumicë votash të emërojë zyrtarisht anëtarët e Komisionit Evropian, procedurë e cila pritet të përfundojë të premten me marrjen e detyrës nga komisarët e rinj më 1 dhjetor.

Foto: skrinshot

 

QËNDRONI TË LIDHUR