• e diel, 22 dhjetor 2024

Eurodeputetët kërkojnë masa për të parandaluar "ndërhyrjen ruse" në BE

Eurodeputetët kërkojnë masa për të parandaluar

Bruksel, 1 prill 2024 (MIA) – Eurodeputetët nga radhët e socialdemokratëve, liberalëve, të gjelbërve dhe të majtëve kanë njoftuar se do të iniciojnë marrjen e masave të menjëhershme në lidhje me akuzat për përpjekje për ndërhyrje ruse në prag të zgjedhjet evropiane të qershorit.

Në një letër të nënshkruar nga këta eurodeputetë drejtuar kryetares së PE, Roberta Mecola, kërkohet gjithashtu që të zhvillohet një debat për tentativat e ndërhyrjes ruse në seancën e ardhshme plenare të planifikuar për 10 dhe 11 prill. Ata propozojnë që debati t'i kushtohet "ndërhyrjes ruse dhe dyshimeve për korrupsion që synojnë të rrezikojnë punën e Parlamentit Evropian, zgjedhjet evropiane dhe të ardhmen e Unionit".

Një nga nënshkrueset e letrës, kryetarja e grupit liberal “Ta rinovojmë Evropën”, Valeri Hajer vlerësoi se duhet një hetim i brendshëm i plotë dhe transparent nga Parlamenti Evropian për pretendimet për blerjen e eurodeputetëve.

Një kërkesë e tillë pasoi javën e kaluar pasi autoritetet çeke njoftuan se pas një hetimi të kryer kishin zbuluar përpjekje për "influencën ruse në Evropë", të lidhura me politikanin pro-rus ukrainas Viktor Medvedçuk dhe portalin "Zëri i Evropës".

Sipas hetimit, një rrjet pro-rus i udhëhequr nga Medvedçuk ka paguar politikanët evropianë për të "lavdëruar" Rusinë dhe presidentin rus Vladimir Putin në mediat e BE-së. Përveç kësaj, sipas hetimeve, rrjeti synonte të “sillte sa më shumë politikanë pro-rusë në Parlamentin Europian” në zgjedhjet e ardhshme.

Pas publikimit të këtij informacioni, kryeministri çek Petr Fiala shkroi në Iks se përpjekjet e Pragës kanë inkurajuar edhe "vendet e tjera të fillojnë hetimet e tyre për të zbuluar rrjetet e spiunazhit pro-rus".

Kryeministri belg Aleksandar De Kro të enjten gjatë një debati në Parlamentin Federal të Belgjikës deklaroi se hetimi tregoi se "Moska iu afrua eurodeputetëve, por gjithashtu pagoi për promovimin e propagandës ruse".

Në shkurt të këtij viti, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që shpreh shqetësimin për "ndërhyrjen e Rusisë në proceset demokratike të BE-së përmes mediave tradicionale dhe sociale" dhe i bëri thirrje Komisionit Evropian që urgjentisht të marrë masa për të parandaluar ndërhyrjen e huaj në BE.

Nëntorin e kaluar, institucionet e BE-së ranë dakord për një Rregullore të re për reklamat politike, e cila u ndalon subjekteve të huaja të sponsorizojnë reklama para zgjedhjeve apo referendumeve, dhe Komisioni është duke punuar edhe në draft-ligjin për të ashtuquajturin regjistër i agjentëve të huaj, si pjesë e paketës me titull “Mbrojtja e Demokracisë”. Sipas propozimeve fillestare të tekstit ligjor, të gjitha organizatat e financuara nga jashtë që ndërmarrin aktivitete në lidhje me lobimin apo përfaqësimin e interesit do të duhet të regjistrohen në një “regjistër për transparence” të BE-së.

PE ka marrë tashmë masa për, siç u theksua, "të mbrojë proceset demokratike evropiane nga ndërhyrjet e huaja" pas shpërthimit të skandalit "Katargrajt" në vitin 2022, kur disa eurodeputetë u akuzuan dhe u gjykuan për marrjen e ryshfetit nga Katari në këmbim të promovimit të interesave të vendit në BE. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR