• e premte, 05 dhjetor 2025

Eurobarometri: Mbështetja e evropianëve për BE-në dhe euron në nivele rekorde

Eurobarometri: Mbështetja e evropianëve për BE-në dhe euron në nivele rekorde

Bruksel, 28 maj 2025 (MIA) - Gjithsej 52 për qind e evropianëve i besojnë BE-së, që është niveli më i lartë në 18 vitet e funduit, ndërsa 74 për qind e mbështesin euron, që është deri tani mbështetja më e lartë e regjistruar për monedhën e përbashkët evropiane, tregojnë rezultatet e publikuara sot nga hulumtimet e fundit e Eurobarometrit.

"Në kontekstin aktual gjeopolitik, evropianët dëshirojnë të shohin një BE më të fortë përmes një politike të përbashkët të mbrojtjes dhe sigurisë, derisa paqja mbetet vlera që e përfaqëson më mirë BE-në", bëhet e ditur në analizën e hulumtimit të Eurobarometrit.

Sipas korrespondentit të MIA-s nga Brukseli, anketa tregon nivelin më të lartë të besimit në BE që nga viti 2007 nga evropianët në 52 për qind, ndërsa tek të rinjtë e moshës 15 deri në 24 vjeç, kjo normë arrin në 59 përqind.

Komisionit Evropian i besojnë, po ashtu 52 për qind e atyre që janë të anketuar, që është nivel dukshëm më i lartë i mbështetjes në krahasim me institucionet kombëtare. Kështu, 36% e evropianëve u besojnë qeverive në vendet e tyre amë, ndërsa 37% u besojnë parlamenteve kombëtare.

75% e të anketuarve thanë se ndiheshin si qytetarë të BE-së, niveli më i lartë në më shumë se dy dekada, dhe 62% e tyre janë optimistë për të ardhmen e Bashkimit.

Rekord prej 74 për qind të qytetarëve të BE-së mbështesin euron, ndërsa vetëm në nivelin e eurozonës besimi është edhe më i lartë dhe arrin në 83 për qind.

Kur bëhet fjalë për perceptimin e gjendjes së ekonomisë evropiane, 44 për qind e evropianëve mendojnë se është "e mirë", ndërsa 48 për qind mendojnë se është "e keqe". Vetëm 43 për qind e të anektuarve besojnë se gjendja ekonomike evropiane do të mbetet e qëndrueshme edhe në 12 muajt e ardhshëm.

Megjithatë, 69% e të anketuarve besojnë se Bashkimi Evropian është "vend i stabilitetit në një botë problematike" dhe 88% favorizojnë bashkëpunim më të madh midis vendeve dhe rajoneve të botës të bazuar në rregulla.

Madje 86 për qind e evropianëve janë të mendimit se rritja e tarifave është e dëmshme për ekonominë globale, ndërsa 80 për qind janë dakord se BE-ja duhet të vendosë tarifa reciproke për të mbrojtur interesat e saj.

Politika e përbashkët e mbrojtjes dhe sigurisë e BE-së mbështetet nga 81 për qind e të anketuarve, niveli më i lartë që nga viti 2004, ndërsa 78 për qind shprehin shqetësim rreth mbrojtjes dhe sigurisë së BE-së në pesë vitet e ardhshme.

Kur bëhet fjalë për prioritetet për buxhetin e BE-së, 43 për qind e qytetarëve evropianë do të dëshironin që pjesa më e madhe e tij të shkonte për shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë, 42 për punësimin, mbrojtjen sociale dhe shëndetin, dhe 34 për qind për arsimin, rininë, kulturën dhe mediat.

Sipas 39 për qind të evropianëve, në periudhën afatmesme, BE-ja duhet të përqendrohet në sigurinë dhe mbrojtjen, sipas 29 për qind në forcimin e mbrojtjes, dhe sipas 24 për qind në migracionin dhe në mbrojtjen e klimës dhe mjedisit jetësor.

Kur bëhet fjalë për atë që do të kishte ndikimin më të madh pozitiv në jetën e tyre në një periudhë afatshkurtër, 44 për qind e të anketuarve zgjodhën sigurimin e paqes dhe stabilitetit, 27 për qind për sigurimin e ushqimit dhe kujdesit shëndetësor dhe 26 për qind për më shumë mundësi punësimi.

Në pyetjen se cila vlere e përfaqëson më së miri BE-në, 41 për qind ishin në favor të paqes, 33 për qind ishin në favor të demokracisë dhe 28 përqind ishin në favor të respektimit të sundimit të së drejtës, demokracisë dhe të drejtave themelore.

Deri në 80 për qind e evropianëve besojnë se BE-ja duhet të pranojë njerëz që ikin nga lufta, 76 për qind mbështesin mbështetjen financiare dhe humanitare për Ukrainën, ndërsa 59 për qind pajtohen me financimin evropian për prokurimin dhe furnizimin e pajisjes ushtarake në vend.

Lidhur me përparësitë e politikës së jashtme të BE-së, për 27 për qind të të anketuarve ishte pushtimi rus i Ukrainës, i ndjekur nga situata ndërkombëtare me 24 përqind dhe siguria dhe mbrojtja me 20 për qind. Deri në 77 për qind e evropianëve të anketuar e shohin pushtimin rus të Ukrainës si kërcënim për sigurinë e BE-së.

Anketa është zbatuar në periudhën midis 26 marsit dhe 22 prillit të vitit 2025 dhe me të janë përfshirë 26.368 qytetarë të vendeve anëtare të BE-së, të nëntë nga dhjetë kandidatët dhe kandidatët potencialë për anëtarësim (të gjithë përveç Ukrainës) dhe Mbretërisë së Bashkuar

Foto: Arkivi i MIA-s  

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR