“Euraktiv”: Presidentja e Maqedonisë së Veriut shkaktoi polemika në inaugurim
- Presidentja e parë femër e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë inaugurimit të djeshëm, zemëroi Greqinë me një fjalim në të cilin nuk e njihte emrin e ri të vendit të saj, citon portali informativ i Brukselit ”Euraktiv” në raportin nga ceremonia e betimit.
- Post By Melahat Baftija
- 13:45, 13 maj, 2024
Bruksel, 13 maj 2023 (MIA) - Presidentja e parë femër e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë inaugurimit të djeshëm, zemëroi Greqinë me një fjalim në të cilin nuk e njihte emrin e ri të vendit të saj, citon portali informativ i Brukselit ”Euraktiv” në raportin nga ceremonia e betimit.
“Ky komb ballkanik e shtoi "e Veriut" në një marrëveshje historike në vitin 2018 për t'i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë me Greqinë. Partia nacionaliste e Gordana Siljanovska-Davkovës, VMRO-DPMNE-ja, kundërshtoi marrëveshjen dhe refuzon të njohë emrin e ri të vendit”, shkruan portali.
"Euraktiv" përkujton se "partia e krahut të djathtë pati një fitore të lehtë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të së mërkurës", me Socialdemokratët në pushtet (LSDM) që pranuan humbjen edhe para se të shpallej rezultati zyrtar.
“Duke iu drejtuar deputetëve dhe personaliteteve VIP të ftuar të dielën, Siljanovska-Davkova tha se "do ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet dhe do ta mbrojë sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë". “Deklaroj se funksionin e presidentit të Maqedonisë do ta kryej në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme”, shtoi ajo. Teksti i shkruar zyrtar përfshinte emrin zyrtar Maqedonia e Veriut, transmeton “Eurkativ”.
Portali shton se Siljanovska-Davkova, e cila të shtunën mbushi 71 vjeç, u zgjodh presidente për një mandat pesëvjeçar pasi siguroi fitoren në raundin e dytë të votimit me 65 për qind të votave ndaj kreut të shtetit në largim, socialdemokratit Stevo Pendarovski, i cili fitoi 29 për qind të votave.
“Profesorja universitare në pension premtoi se do të jetë presidente e “të gjithë qytetarëve”, shton “Euraktiv”.
Në tekst përkujtohet se me Marrëveshjen e Prespës të lidhur me Athinën në vitin 2018, "Shkupi i shtoi emrit prefiksin e Veriut" dhe iu dha fund mosmarrëveshjeve me dekada me Greqinë, e cila ishte kundër "fqinjes së saj të kishte të njëjtin emër si një nga krahinat e saj historike" dhe prej kohësh e kundërshtoi anëtarësimin e vendit në NATO - më në fund ajo u bashkua me aleancën në vitin 2020 dhe mundësoi bisedimet në rrugën e saj drejt anëtarësimit përfundimtar në BE.
“Por Greqia reagoi me zemërim ndaj fjalimit të presidentes së re, duke thënë se zgjedhja e fjalëve të saj ishte një "shkelje flagrante" e Marrëveshjes së tyre. “Greqia deklaron kategorikisht se përparimi i mëtejshëm në marrëdhëniet dypalëshe me Maqedoninë e Veriut dhe rrugën e saj evropiane varet nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe mbi të gjitha nga përdorimi i emrit kushtetues”, shtoi MPJ-ja greke.. Sipas njoftimeve të mediave vendase, ambasadorja e Greqisë në Shkup u largua nga ceremonia në Kuvend në shenjë proteste, shtohet në tekst.
“Euraktiv” raporton edhe deklaratën e presidentit bullgar Rumen Radev se “Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim të vitit 2017, si dhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Maqedonisë së Veriut”.
“Bullgaria vazhdimisht dhe qartë e shpreh qëndrimin e saj se marrëveshjet duhet të zbatohen. Perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut varet nga zbatimi i rreptë i marrëveshjeve ndërkombëtare që ka nënshkruar, si dhe nga Korniza negociuese e miratuar nga Këshilli Evropian në korrik të vitit 2022, e cila nuk do të rishikohet”, transmeton portali deklaratën e Radevit, duke iu referuar radios kombëtare bullgare (BNR).
Sipas “Euraktiv”, një deklaratë të ngjashme bëri edhe kryeministri i përkohshëm bullgar Dimitar Glavçev.
“Euraktiv” raporton gjithashtu se kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe kreu i Këshillit Evropian, Sharl Mishel, kanë uruar Siljanovska-Davkovën, por kanë dërguar mesazhe edhe për zbatimin konsekuent të Marrëveshjes së Prespës.
Fon der Lajen në X, Twitter-i i dikurshëm, shtoi se Maqedonia e Veriut duhet të ndjekë "rrugën e reformës dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës" për të vazhduar rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Kryetari i Këshillit, Sharl Mishel, e ka quajtur “shumë zhgënjyese” mospërdorimin e emrit kushtetues nga presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, shton portali.
Më tej, teksti përkujton se VMRO-DMPNE-ja fitoi zgjedhjet parlamentare të 8 majit, duke fituar 58 nga 120 mandate parlamentare, duke e mundur LSDM-në, e cila është në pushtet që nga viti 2017.
“Rikthimi në pushtet i së djathtës në vendin e varfër me 1.8 milionë banorë krijon rrezikun e rindezjes së tensioneve me Greqinë, si dhe me Bullgarinë. Gjatë fushatës parazgjedhore, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, premtoi se do të qëndrojë i vendosur në qëndrimin e tij ndaj Bullgarisë në lidhje me çështjet gjuhësore dhe historike, për shkak të të cilave Sofja i bllokoi negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, dy vitet e fundit”, citohet në tekst.
“Euraktiv” thekson se Bullgaria ka kërkuar nga Shkupi të ndryshojë kushtetutën e tij "për të njohur pakicën bullgare" në vend.
“Në vitin 2022, Bullgaria ra dakord me propozimin e presidencës së atëhershme franceze me Këshillin e BE-së për heqjen e vetos për fillimin e negociatave të anëtarësimit në Shkup, kur Maqedonia e Veriut do të shtojë pakicën bullgare në Kushtetutën e vendit. LSDM-ja në pushtet ishte e gatshme të miratonte amendamentet, por nuk kishte shumicën e mjaftueshme në Parlament. Qëndrimi parazgjedhor i VMRO-DPMNE-së ishte kundër ndryshimit të Kushtetutës”, shton “Euraktiv”.
Foto: Arkivi i MIA-s