• e hënë, 23 dhjetor 2024

Eskobar: Serbët në Kosovë duhet të jetojnë të sigurt dhe me dinjitet, përgjegjësinë për këtë e ka Qeveria e Kosovës

Eskobar: Serbët në Kosovë duhet të jetojnë të sigurt dhe me dinjitet, përgjegjësinë për këtë e ka Qeveria e Kosovës

Prishtinë, 14 mars 2024 (MIA) - I dërguari special i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xho Bajden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar porositi se serbët e Kosovës duhet të jetojnë të sigurt dhe me dinjitet, duke theksuar se përgjegjëse për këtë do të konsiderohet Qeveria e Kosovës, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Eskobari, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, paradite e vizitoi Manastirin e Deçanit, një ditë pasi Qeveria e angazhoi Agjencinë e Kadastrit ta regjistrojë pronën prej 24 hektarë tokë manastirit, ndërsa pastaj e vizioi edhe komunën e Pejës, ku u takua me kryetarin Gazmend Muhaxheri, përfaqësues të sektorit civil dhe mediave, si dhe me të rinj nga bashkësia shqiptare, serbe dhe boshnjake në atë komunë.

Në një intervistë për median në gjuhën serbe atje, Radio Gorazhdevac, emisari amerikan tha se e ka parë që, për shkak të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb, serbët e Kosovës po vuajnë dhe kanë vështirësi reale në marrjen e pensioneve dhe të ardhurave të tjera që u paguhen nga Serbia.

"Kam dashur të vij në këtë qytet, të dëgjoj tregimet e njerëzve të dorës së parë se si janë prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Është e vështirë t'i dëgjosh këto histori dhe të qëndrosh indiferent. Këtu ka një bashkësi që është me të vërtetë duke vuajtur. Ka njerëz që po përballen me probleme reale për shkak të mungesës së mundësive për të marrë pensione", tha Eskobar.

Disa orë para takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Eskobari ka theksuar se "me të vërtetë dëshiron të punojë me Qeverinë e Kosovës me shpresën për të gjetur zgjidhje urgjente".

Emisari amerikan i ka thënë bashkësisë serbe në Kosovë se "SHBA-ja është këtu" dhe se "dëshiron që serbët në Kosovë të jetojnë në kushte të sigurta dhe të dinjitetshme".

"Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në të. Dhe sa i përket Qeverisë së Kosovës, ata kanë përgjegjësinë për ta arritur këtë dhe ne do t'i mbajmë ata përgjegjës për këtë. Unë mendoj se të gjithë njerëzit në Kosovë mund të llogarisin në mbështetjen amerikane për shqiptarët, serbët, boshnjakët, të gjithë ata që jetojnë në këtë vend. Shpresoj se ata mund të ndjejnë mbështetjen amerikane dhe partneritetin amerikan", ka shtuar Eskobar.

Në këtë deklaratë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së iu referua shkurt propozimit franko-gjerman për vazdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

"Në afat më të gjatë, ne duhet të punojmë ende shumë për të zbatuar marrëveshjen historike të normalizimit që arritëm marsin e kaluar. Kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë", deklaroi Eskobari.

Pas arritjes në Kosovë, dje paradite zëvendës ndihmës sekretari shtetëror amerikan u takua me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani, përderisa sot do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Dje kishte takim me komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë - KFOR, gjeneral Ozkan Ulutash.

Para ardhjes në Kosovë, Eskobari në takim me gazetarët në Bruksel deklaroi se me nikoqirët do të bisedojë për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, për nevojën e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe për vendimin kontestues të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalesën e dinarit serb për pagesa me para të gatshme në vend. fc/
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR