ESHR: Kontributet e paguara në Fondin pensional gjatë vitit 2023 nuk mbuluan deficitin prej 33 për qind për pagesën e pensioneve
- Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) ka kryer revizion të raporteve financiare së bashku me atë për harmonizim të Fondit për sigurim pensional dhe invalidor (FSPI) për vitin 2023 ku konkludon se kontributet e mbledhura nga paga e Fondit edhe në vitin 2023 nuk mjaftojnë për të mbuluar deficitin prej 33 për qind për pagesën e pensioneve.
- Post By Fami Bajrami
- 11:36, 28 janar, 2025
Shkup, 28 janar 2025 (MIA) - Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) ka kryer revizion të raporteve financiare së bashku me atë për harmonizim të Fondit për sigurim pensional dhe invalidor (FSPI) për vitin 2023 ku konkludon se kontributet e mbledhura nga paga e Fondit edhe në vitin 2023 nuk mjaftojnë për të mbuluar deficitin prej 33 për qind për pagesën e pensioneve.
Me revizionin e kryer shprehet opinion jo i mjaftueshëm për paraqitjen e vërtetë dhe të drejtë të gjendjes financiare dhe rezultatet e aktiviteteve financiare, si dhe për harmonizimin e transaksioneve financiare me legjislacionin përkatës, udhëzimet dhe politikat e përcaktuara.
Raporti i revizionit konstaton se nuk është bërë evidentim i pronës në librat e biznesit të mjeteve të përhershme të marra në bazë të procedurave të falimentimit për të cilat Fondi ka pronësi ose ka transferuar të drejtën e përdorimit, se nuk është kryer tërësisht regjistrimi i mjeteve dhe detyrimeve dhe se është bërë fshirja e pasurive të luajtshme nga evidenca e kontabilitetit, pa vendim të Qeverisë dhe pa kryer procedurë për asgjësimin apo tjetërsimin e tyre.
Gjithashtu është konstatuar se Fondi nuk disponon me të dhëna për shumën totale të akcizës së arkëtuar dhe tërësinë e të ardhurave për kontributet në këtë bazë, në llogari të pagesës dhe shpërndarjes së kontributeve ku në fund të çdo viti mbeten mjete materiale të paidentifikuara të kontributeve dhe të njëjtat nuk janë dhënë si mundësi të përdoren për pagesat e pensioneve. Është konstatuar se është lidhur marrëveshje rreth qirasë 20 vjeçare pa procedurë përkatëse, si dhe dobësi në zbatimin e procedurave dhe realizimin e marrëveshjeve të furnizimit publik, në mënyrën e ndarjes dhe plotësimit të kushteve për akomodim në apartamente në shtëpi banimi të përfituesve të pensionit të menaxhuara nga Fondi dhe në sigurinë e sistemit të TI-së.
"Në qershor të vitit 2022, pas konkursit dhe procedurës publike, me vendim të Këshillit drejtues është emëruar drejtor i Fondit, për të cilin Qeveria nuk ka dhënë pëlqim, gjë që nuk është në përputhje me Ligjin për SPI dhe ndikon në mënyrën e përzgjedhjes. Në mars të vitit 2023, pas nëntë muajsh, Qeveria miratoi vendim për mos dhënie të pëlqimit për vendimin e Këshillit drejtues nga qershori 2022 lidhur me emërimin e drejtorit të Fondit nga KD që ndikon në cilësinë e menaxhimit dhe funksionimit si dhe mënyrën e realizimit të të drejtave dhe detyrave të drejtorit të përcaktuara me ligj", thuhet në raportin e ESHR-së.
Theksohet se Fondi vazhdimisht po përballet me mungesë të kapaciteteve kadrovike dhe personelit profesional në sektorët kyç të veprimtarisë, njësitë rajonale, në sektorin e TI-së dhe Departamentin e për revizion të brendshëm, gjë që ndikon ndjeshëm në cilësinë e kryerjes së veprimtarisë dhe funksionimit të Fondit.
Foto: printskrin