• e premte, 20 dhjetor 2024

Endokrinologu Valbon Limani është zgjedhur për u.d kryetar të komunës së Gostivarit

Endokrinologu Valbon Limani është zgjedhur për u.d kryetar të komunës së Gostivarit

Gostivar, 8  korrik 2024 (MIA) - Kryetari aktual i Këshillit të Komunës së Gostivarit Valbon Limani, është zgjedhur ushtrues detyre i kryetarit të Komunës së Gostivarit. Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Këshillit, ai ka marrë shumicën e votave, ndërsa kundër votuan tetë anëtarë të grupit të këshilltarëve të BDI-së. U zgjodh kryetari dhe anëtar i ri i Këshillit.

Limani konsiderohet bashkëpunëtor i afërt i kryetarit të mëparshëm Arben Taravari, i cili më herët përmes një deklarate ka treguar se zgjidhje e mundshme është që ai të marrë postin drejtues.

Valbon Limani, i cili në dy raste ka udhëhequr Këshillin e Komunës së Gostivarit falënderoi për besimin e treguar dhe paralajmëroi se deri në zgjedhjet e rregullta apo të jashtëzakonshme për kryetar komune do të punojë në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve komunale, përmirësimin e infrastrukturës, ndërsa së shpejti do të përcaktojë dhe prioritete. Ai nga këshilltarët kërkoi dhe mbështetje për zbatimin e programit gjatë mandatit të tij.

"Të gjithë ne jemi të bashkuar nga një ideal i përbashkët. Unë ju konsideroj ekip dhe nuk ju dalloj nga partia, feja apo nga përkatësia etnike. Ju shoh të gjithë njësoj, si gostivaras. Gostivari patjetër të shkëlqejë për të gjithë gjeneratat që do të vijnë dhe për të gjithë ata të cilët e duan. Gostivari është misioni im personal, ndërsa bashkë me të edhe mirëqenia e secilit prej banorëve të tij", tha u.d kryetari Valbon Limani.

Në seancën e sotme të jashtëzakonshme ndryshim ka pasur edhe në ulëset e këshilltarëve dhe në rradhët e grupit të këshilltarëve prej katër anëtarësh të VMRO DPMNE-së. Në vend të koordinatorit Goce Dimovski, i cili nga jave e kaluar udhëheq me ZZHTI-në, doli i pesti nga lista, Milan Jovanoski. Së shpejti pritet të plotësohet edhe vendi i këshilltarit që i takon ASH-së.

Mbështetje për Limanin në fjalime i dhanë grupet e këshilltarëve të LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së, ndërsa kundër zgjedhjes së tij votoi BDI-ja dhe vlerësoi se largimi i paraardhësit ishte mosrespektim i vullnetit të votuesve.

Kryetari i ri i komunës së Gostivarit është mjek specialist endokrinolog, i punësuar në Klinikën Universitare në Shkup. rq/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR