• e diel, 22 dhjetor 2024

Ekspertiza e kërkuar nga mbrojtja e të akuzuarve për rastin Veaposka thotë se nuk kanë faj mjekët

Ekspertiza e kërkuar nga mbrojtja e të akuzuarve për rastin Veaposka thotë se nuk kanë faj mjekët

Strugë, 26 shkurt 2024 (MIA) - Me marrjen në pyetje të tërthorta të ekspertit, profesor doktor Drage Dabeski, i cili me kërkesën e të akuzuarve e përgatiti ekspertizën për heqjen e mitrës, vezores dhe veshkës pas lindjes me operacion cezarian të Jilldëz Veaposkës nga Dibra, sot në Gjykatën Themelore në Strugë vazhdoi debati publik në procesin gjyqësor kundër tre mjekëve nga Spitali i Strugës, gjinekologut Muhamed Asani, djalit të tij mjekut Blerton Asani dhe mjekes Liljana Jovanoska. 

Sipas ekspertit, mjekët e akuzuar nuk kanë bërë lëshime gjatë mjekimit të lehohës, por kanë shpëtuar një jetë të re. Ai thotë se në bazë të dokumentacionit të dorëzuar për ekspertizë, mjekët në Spitalin e Strugës kanë vepruar si duhet kur i kanë hequr organet për sanimin e gjakderdhjes së shkaktuar nga arteria renale.

Ajo ekspertizë është e kundërt me atë të parën të përgatitur nga mjekësia ligjore dhe avokati i të dëmtuarës nuk e pranon. 

"Ekspertiza e Mjekësisë Ligjore tregon se gjatë operacionit kanë munguar shumë gjëra dhe është pothuajse e pamundur të mendohet ndryshe. Të akuzuarit do të duhet të përgjigjen për veprimet që kanë bërë, gjegjësisht për ato që nuk kanë bërë. Besoj se edhe Gjykata është e interesuar të zbardhë të vërtetën e vërtetë se si është e mundur që një grua shtatzënë të hyjë e shëndetshme në sallën e operacionit dhe më pas të dalë pa tre organe. Është mister", tha pas seancës gjyqësore avokati i Veaposkës, Sasho Janev.

E dëmtuara Veaposka, e parashtroi pyetjen se si mjekët në Spitalin e Strugës ia kanë shpëtuar jetën, kur në gjendje kome ishte dërguar në spitalet e Shkupit ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje tjetër kirurgjike. 

"Eksperti sqaron se mjekët e akuzuar ma shpëtuan jetën duke më hequr organet dhe më lanë gjysmë njeri, por si ma shpëtuan jetën kur më dërguan në Shkup dhe papritmas u detyrova të hyja në sallën e operacionit për t'iu nënshtruar një revizioni në Klunikat në Shkup. Beteja ime zgjati 14 ditë në gjendje kome. Atëherë nuk e di se si u ngrita në këmbë, por u jam mirënjohës mjekëve të Klinikës në Shkup dhe doktor Skënder Saidit që më shpëtuan jetën. Këta mjekë nuk ma shpëtuan jetën, këta mjekë më shkatërruan jetën, më bënë invalid, nuk mund të lind më dhe nuk mund të kem më fëmijë", deklaroi Veaposka.

Avokati i të akuzuarës së tretë, mjekes Liljana Jovanovska, Aleksandar Novakovski thotë se në seancën e ardhshme do të vijojë harmonizimi i dy ekspertizave, ndërsa pastaj do të vendoset për propozimet shtesë. Nuk e përjashton as opsionin për superekspertizë. 

"Është shumë e rëndësishme nëse ekspertët do të pajtohen që procedura të mos vonohet, dhe nëse unë do të propozoj prova shtesë do të varet nga ajo marrëveshje. Ka një hendek midis dy mendimeve të ekspertëve, të ndryshëm nga pikëpamja mjekësore janë pretendimet e kundërta nëse ishte e nevojshme apo jo një histerektomi dhe si kanë ndodhur dëmtimet. Besoj se deri më tani nuk shoh dëshmi të fajësisë për të akuzuarin e tretë", tha Novakoski.

Seanca e ardhshme është caktuar më 23 prill për kur duhet të thirren të gjithë ekspertët nga mjekësia ligjore dhe profesori Dabeski me qëllim që t'i harmonizojnë ekspertizat. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR