Eksperti nga Hungaria, Zoltan Gyori e vizitoi Universitetin e Tetovës
- Në kuadër të programit CEEPUS, rrjetit: “SK-1018– Biologji, Bioteknologji dhe Shkenca Ushqimore” profesori dhe eksperti nga Hungaria, Mr. Zoltán Győri e vizitoi Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit.
- Post By Fitore Curri
- 16:29, 5 dhjetor, 2024
Shkup, 5 dhjetor 2024
Në kuadër të programit CEEPUS, rrjetit: “SK-1018– Biologji, Bioteknologji dhe Shkenca Ushqimore” profesori dhe eksperti nga Hungaria, Mr. Zoltán Győri e vizitoi Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit.
Në këtë program gjithëpërfshirës, me ndihmën e profesorit hungarez, Mr. Zoltán Győri, studentët e FTUU-së, i prezantuan gatimet tradicionale hungareze. Në këtë ngjarje morën pjesë Rektori i UT-së, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Sekretari i Përgjithshëm, Adem Beadini, dekani i FTUU-së, Prof. Dr. Xhezair Idrizi dhe profesorë e studentë të tjerë të FTUU-së, të cilët patën mundësi t'i degustojnë gatimet e studentëve tanë. Me këtë rast Rektori i UT-së, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i përgëzoi studentët për këtë aktivitet, duke shpresuar se sukseset e tyre nuk do të ndalen as në të ardhmen.
Koordinatori i programit nga Universiteti i Tetovës, Prof. Dr. Erhan Sulejmani vlerësoi se agjenda në fjalë ka dhënë kontribut të veçantë dhe inkurajim për studentët në integrimin e tyre me industrinë ushqimore të vendeve të Bashkimit Evropian duke rritur bashkëpunimin si një potencial për aftësimin e kuadrit të ri në vendin tonë.
Ndërsa, dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit në Universitetin e Tetovës, Prof. Dr. Xhezair Idrizi, veçoi se ngjarjet e këtilla në të ardhmen do të kontribuojnë në rritjen e aktiviteteve duke u mundësuar studentëve praktika dhe përvoja që do të sjellin perspektivë të re nga ekspertë në teknologjitë e inovacioneve në fushën e inxhinierisë ushqimore dhe të ushqyerit. Aktivitetet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen duke organizuar edhe trajnime si dhe studime profesionale specialistike pranë Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit si një perspektivë e re e trajnimit me ekspertë kompetentë nga universitetet evropiane.
Universiteti i Tetovës
________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.
Fotografia: Universiteti i Tetovës