• e martë, 24 dhjetor 2024

Dy vjet nga zjarri tragjik në spitalin modular të Tetovës, ku humbën jetën 14 persona

Dy vjet nga zjarri tragjik në spitalin modular të Tetovës, ku humbën jetën 14 persona

Tetovë, 8 shtator 2023 (MIA) - Sot bëhen dy vjet nga zjarri në spitalin modular në Tetovë, ku 14 persona humbën jetën dhe dhjetëra persona u lënduan. Të vdekurit janë kryesisht pacientë që po trajtoheshin për shkak të Kovid-19 në atë spital modular dhe dy janë familjarë të pacientëve.

Dy vite më vonë, procesi gjyqësor i shkallës së parë përfundoi dhe Prokuroria po punon ende për një procedurë parahetimore rreth tenderit për prokurimin e spitaleve modulare. 

Pas zjarrit të 8 shtatorit 2021, filloi hetimi, i cili rezultoi me propozim aktakuzë në Gjykatën Themelore të Tetovës më 27 korrik 2022. Prokuroria i ka akuzuar dy drejtorët e Spitalit klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi për veprën penale "vepra të rënda kundër sigurisë publike" dhe mjekun Boban Vuçevski për veprën "mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë", ndërsa personi juridik ISHP Spitali klinik Tetovë për veprat penale "shkaktim i rrezikut publik" dhe "mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë një epidemie".

Seanca e parë gjyqësore ishte caktuar për më 6 shtator, por ajo u shty katër herë dhe gjykimi filloi më 4 dhjetor 2022.

Gjykimi përfundoi më 5 qershor 2023, ku drejtorët e akuzuar Florin Besimi dhe Artan Etemi u dënuan me kusht nga një vit e gjysmë për veprën penale "krime të rënda kundër sigurisë publike", ndërsa personi juridik ISHP Spitali klinik u shpall fajtor për veprën penale "shkaktim të rrezikut publik".

Sipas aktgjykimit, Florin Besimi dhe Artan Etemi janë dënuar me nga një vit e gjashtë muaj burg. Ata dënohen me kusht dhe dënimi i përcaktuar me burgim nuk do të zbatohet nëse të pandehurit nuk kryejnë një vepër të re brenda tre vjetësh.

Prokuroria themelore publike në Tetovë, një muaj më vonë, më 10 korrik 2023, parashtroi ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë.

"Ankesa ka të bëjë si me masën e sanksionit penal të përcaktuar për dy të pandehurit ashtu edhe me lirimin e njërit prej të pandehurve. Prokuroria Publike do t'i sqarojë arsyet e ankesës para gjykatës kompetente", njoftoi Prokuroria.

Po ashtu, Prokuroria Publike rikujton se lidhur me tenderin për prokurimin e spitaleve modulare, në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ende është duke u zhvilluar një tjetër procedurë parahetimore.

Pas aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës Themelore të Tetovës dhe ankesave të parashtruara këtë muaj, lënda është në Gjykatën e Apelit të Gostivarit.

"Lënda penale e Gjykatës Themelore Tetovë K.nr. 450/22 nga data 05.06.2023 në Gjykatën e Apelit në Gostivar është pranuar në ditën 04.09.2023 dhe është regjistruar me numrin KZH. nr. 318/23, është caktuar në punë në këshillin penal pranë kësaj gjykate dhe lënda është trajtuar, duke e mbajtur rendin sipas orarit të përcaktuar vjetor për vitin 2023, konform dispozitave të Ligjit për procedurë penale dhe rregullave të Gjykatës", njoftoi Gjykata e   Apelit në Gostivar.

Përfaqësuesit e familjeve të 14 personave që humbën jetën nga zjarri në spitalin modular në Tetovë, për dy vjetorin e sotëm të zjarrit dhe tragjedisë në të cilën humbën njerëzit e tyre të dashur, kanë paralajmëruar protestë publike për të kërkuar një aktakuzë të re.

Tubimi do të fillojë në spitalin modular dhe më pas do të vazhdojë deri në objektin e Gjykatës Themelore të Tetovës. as/sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR