• e martë, 24 dhjetor 2024

Dy persona të hospitalizuar me ethe hemorragjike kongo-krime në prill, dy fëmijë kishin shytat

Dy persona të hospitalizuar me ethe hemorragjike kongo-krime në prill, dy fëmijë kishin shytat

Shkup, 14 maj 2024 (MIA) - Dy raste të etheve hemorragjike kongo-krime dhe dy fëmijë me shytat infektive janë regjistruar në muajin prill, tregon raporti i fundit i Institutit për Shëndet Publik (ISHP), të publikuar sot pasdite.

Rastet e etheve hemorragjike Kongo-Krime janë regjistruar në fund të muajit prill.

"Bëhet fjalë për persona nga zonat rurale që kanë pasur kontakt me kafshë shtëpiake me rriqra. Pickim nga rriqrat u raportua vetëm në rastin e parë. Rasti i parë është nga fshati Gradec i Kriva Pallankës. Simptomat filluan më 22 prill – lodhje, të vjella, diarre, gjakrrjedhje nga hundët dhe më 26 prill u shtrua në Klinikën Infektive. Rasti i dytë është nga fshati Haraçinë, Shkup. Simptomat filluan më 24 prill - ethe 39C, lodhje, dhimbje muskujsh, të vjella, diarre dhe u shtrua në Klinikën Infektive më 30 prill. Gjurmimi i kontakteve për të dyja rastet është në vazhdim. Rastet u konfirmuan në laboratorin e virologjisë në pranë ISHP me antitrupa IgM të zbuluara me ELISA dhe RNA me RT-PCR", theksohet në raportin.

Janë raportuar edhe dy raste me shytat infektive. Njëri i përket grupmoshës pesë deri në nëntë vjeç, i vaksinuar plotësisht sipas Kalendarit për imunizim. Rasti tjetër është një fëmijë dyvjeçar i pavaksinuar. Rastet janë të konfirmuara klinikisht, theksojnë nga Instituti.

Gjatë muajit prill në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë raportuar gjithsej 1374 të sëmurë nga sëmundje akute infektive – pa Kovid-19, grip, tuberkulozë, AIDS, AFP dhe bartës kronikë të hepatitit B dhe C dhe HIV me incidencë totale prej 74,8. për 100 000 banorë.

"Gjatë muajit prill, sëmundja akute infektive më e shpeshtë e regjistruar ishte lija e dhenve me gjithsej 845 persona të regjistruar. Krahasuar me muajin mars, numri i rasteve të raportuara me linë e dhenve ka një rritje prej 2,4 për qind, ndërsa krahasuar me muajin prill 2023, është regjistruar një rënie prej 12,6 për qind, theksojnë nga ISHP.

 

Janë raportuar 14 raste të salmonelozës, tetë raste të infeksioneve ushqimore bakteriale dhe intoksikimeve dhe një rast me giardiasis.

Më pas, 34 raste zgjebe, katër raste meningjiti bakterial dhe nga një rast me meningjit viral dhe tokoplazmozë.

"Në muajin prill u raportuan katër raste të konfirmuara me HIV dhe dy me SIDA, të gjithë meshkuj, të grupmoshës 20 deri në 44 vjeç. Sipas evidencave ekzistuese të rasteve të raportuara – deri më 30 prill, numri kumulativ i personave të regjistruar me HIV/AIDS në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për periudhën nga viti 1987 deri në vitin 2024, është 657, ndërsa kanë vdekur 127 persona, 530 persona jetojnë me HIV/AIDS, sqarohet në raportin e ISHP.

Gjithsej nëntë raste me Kovid-19 janë raportuar gjatë muajit prill.

Sa i përket sëmundjeve që janë të regjistruara tek shtetasit e huaj, gjatë muajit prill janë pranuar tetë raportime për sëmundje infektive në këtë grup. Katër raporte të enterokolitit dhe dy për salmonelozë dhe kollë të mirë tek shtetasit e huaj nga Kosova, Belgjika, Gjermania dhe Zvicra që kanë qëndruar në shtet. ls/ 

Foto: Arkivi i MIA-s,  Institutit për Shëndet Publik

 

QËNDRONI TË LIDHUR