Dreksler: Nevojitet një proces zgjerimi i BE-së më i parashikueshëm dhe më i besueshëm, si dhe fleksibilitet më i madh në vendimmarrje
- Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të jetë më i parashikueshëm, më dinamik dhe më i besueshëm, ndërsa procesi i vendimmarrjes në Union duhet të bëhet më fleksibël, tha sot ambasadorja gjermane Petra Dreksler në një panel-diskutimi me temën "Formësimi i së ardhmes - Integrimi në BE si një shtytës i përparimit të Maqedonisë së Veriut" organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer, Lëvizja Evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra për Studime Evropiane Vilfried Martens me rastin e Ditës së Evropës - 9 maj.
- Post By Lindita Sulejmani
- 13:35, 28 maj, 2025
Shkup, 28 maj 2025 (MIA) - Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të jetë më i parashikueshëm, më dinamik dhe më i besueshëm, ndërsa procesi i vendimmarrjes në Union duhet të bëhet më fleksibël, tha sot ambasadorja gjermane Petra Dreksler në një panel-diskutimi me temën "Formësimi i së ardhmes - Integrimi në BE si një shtytës i përparimit të Maqedonisë së Veriut" organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer, Lëvizja Evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra për Studime Evropiane Vilfried Martens me rastin e Ditës së Evropës - 9 maj.
Dreklser foli për mundësinë e ndryshimit të mënyrës se si BE-ja i merr vendimet, nisma që kanë mbështetje nga Gjermania, duke vënë në dukje se zhvillimet e ndryshuara gjeopolitike në vitet e fundit e kanë ngritur veçanërisht këtë çështje, për shkak të nevojës për unitet dhe integrim më të madh të vetë Evropës për përballje më efikase me sfidat dhe kërcënimet.
"Të gjithë jemi të vetëdijshëm për zhvillimin e situatës gjeopolitike në fushën e sigurisë, në fushën e demokracisë, për sfidat dhe kërcënimet me të cilat përballen shoqëritë tona. Është koha që Evropa të fillojë të kujdeset për veten. Jemi të vetëdijshëm për këtë, por duhet të tregojmë përgjegjësi më të madhe dhe pyetja nuk është më nese, por si do ta bëjmë këtë, me ç'rast duhet të shohim mënyrën se si deri më tani ndërmarrim veprime dhe marrim vendime. Do të thotë, do të duhet të jemi të sigurt dhe të jemi në gjendje të marrim vendime të shpejta dhe të ndërmarrim veprime të shpejta. Pikërisht për këtë edhe në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë së re federale të Gjermanisë është theksuar se kjo për ne do të jetë prioritet, për të siguruar një proces të përshpejtuar të vendimarrjes në kuadër të BE-së, duke marrë gjithmonë parasysh çdo vend individual dhe interesat e tij. Forca jonë është në unitetin tonë dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë", theksoi Dreksler.
Ajo theksoi se zhvillimet dhe sfidat e reja gjeopolitike e kanë detyruar BE-në të gjejë një proces optimal vendimmarrjeje, që do të jetë i pranueshëm dhe do të lejojë përdorimin e shumicës së kualifikuar, veçanërisht në lidhje me politikën e sigurisë. Ambasadorja theksoi se shumica e kualifikuar nuk është risi për BE-në, se Këshilli miraton 80 për qind të rregulloreve me shumicë të kualifikuar, por megjithatë ka vendime, të tilla si ato që lidhen me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, për të cilat kërkohet unanimitet.
"Është e nevojshme të merren në konsideratë interesat kombëtare të vendeve anëtare, është e nevojshme të gjendet një mënyrë për të ruajtur këtë parim të unanimitetit në vendimmarrje, por në të njëjtën kohë të futen edhe mënyra më fleksibile", theksoi Dreksler.
Ajo vuri në dukje se gjithmonë do të ketë momente relevante në të cilat vendet-anëtare do të duhet të marrin vendime unanime, por ka shumë aspekte teknike dhe vendime teknike për të cilat duhet të sigurohet fleksibilitet më i madh, theksoi ambasadorja gjermane. ls/