Drejtori i QMK-së, Muhamed Ali dhe kryetari i komunës Blerim Sejdiu në terren pas riaktivizimit të zjarrit në komunën e Zhelinës
- Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali së bashku me kryetarin e Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu sot janë në terren ku nga afër po ndjekin dhe koordinojnë ndërhyrjen për shuarjen e zjarrit i cili ka përfshirë një zonë me vegjetacion të ulët dhe pyll të degraduar mes fshatrave Çërovë dhe Grupçin, në territorin e Komunës së Zhelinës.
- Post By Fami Bajrami
- 17:52, 26 korrik, 2025
Shkup, 26 korrik 2025 (MIA)- Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali së bashku me kryetarin e Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu sot janë në terren ku nga afër po ndjekin dhe koordinojnë ndërhyrjen për shuarjen e zjarrit i cili ka përfshirë një zonë me vegjetacion të ulët dhe pyll të degraduar mes fshatrave Çërovë dhe Grupçin, në territorin e Komunës së Zhelinës.
Siç informojnë nga QMK, falë koordinimit në kohë nga Qendra për Menaxhim me Kriza dhe reagimit të shpejtë të institucioneve kompetente, në shuarjen e zjarrit janë përfshirë Njësia territoriale kundër zjarreve - Tetovë, aeroplani i tipit “Er traktor” i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim si dhe ekipe të Ministrisë së Punëve të Brendshme me një automjet të specializuar – top uji.
"Me përpjekje të përbashkëta dhe të koordinuara mirë nga të gjitha shërbimet e përfshira, zjarri është vënë nën kontroll. Rikujtojmë se rreziku nga shfaqja dhe përhapja e zjarreve gjatë periudhës verore mbetet i lartë. Është me rëndësi të rritet vetëdija qytetare për sjellje të përgjegjshme në natyrë, me qëllim parandalimin në kohë dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe sigurisë së qytetarëve", informojnë nga QMK.
Foto: QMK