• e premte, 05 dhjetor 2025

Drejtori i BSP-së, Janev, në Asamblenë e Përgjithshme të Asociacionit të shefave të policive nga Evropa Juglindore

Drejtori i BSP-së, Janev, në Asamblenë e Përgjithshme të Asociacionit të shefave të policive nga Evropa Juglindore

Shkup, 25 qershor 2025 (MIA) - Drejtori i Byrosë për Siguri Publike (BSP) Aleksandar Janev sot në Berat, të Shqipërisë, po merrë pjesë dhe udhëheq delegacionin e BSP - MPB në Asamblenë e Përgjithshme të Asociacionit të Shefave të policive të Evropës Juglindore, në kuadër të presidencës shqiptare të asociacionit. 

Siç njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme, së bashku me kolegët nga rajoni, Janev u fokusua në sfidat e migracionit të paligjshëm dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, shtypjen e krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal përmes krijimit të ekipeve të përbashkëta hetimore, ndërsa gjithashtu, u shqyrtua edhe gjendja aktuale në lidhje me luftën kundër krimit kompjuterik.

Ai theksoi se qasja rajonale për veprim të përbashkët, bashkëpunimi i forcuar dhe aplikimi i mjeteve dhe modeleve bashkëkohore të veprimit policor "janë më se të nevojshme në kohën në të cilën jetojmë, duke u përballur me një sërë sfidash nga metodat e sofistikuara që i përdorin grupet kriminale të organizuara".

Pjesëmarrjen në Asamblenë e Përgjithshme të SEPKA-s, drejtori i BSP-së e shfrytëzoi për takime me kolegët e tij, drejtorët e policive të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës, me të cilët shkëmbeu ide për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në menaxhimin kufitar, operacionet ndërkufitare dhe ekipet e përbashkëta hetimore për shtypjen e grupeve kriminale të organizuara që veprojnë në rajon. 

"Si njerëz të parë të policisë, kemi një mision dhe përgjegjësi që ta bëjmë rajonin më të sigurt dhe më të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët tanë. Siguria nuk njeh kufij – ajo kërkon solidaritet, koordinim dhe veprim të përbashkët", theksoi Janev. qa/

Foto: Ministria e Punëve të Brendshme

QËNDRONI TË LIDHUR