• e hënë, 23 dhjetor 2024

Dita e tretë e debatit për ribalancin e Buxhetit

Dita e tretë e debatit për ribalancin e Buxhetit

Shkup, 27 korrik 2024 (MIA) - Në Komisionin kuvendor për Financim dhe Buxhet sot në ditën e tretë me radhë duhet të vazhdojë debati i përgjithshëm për ribalancin e Buxhetit. 

Sipas deputetëve të pozitës, ky është ribalanci më i vështirë sepse bazohet në Buxhetin më të keq dhe më të vështirë. Ata theksuan se kur u propozua Buxheti, qeveria e kaluar tha se do të jetë zhvillimor dhe do të realizohen investimet kapitale, ndërsa tani, thonë ata, nuk duhet vetëm konsolidim fiskal, por edhe konsolidim i shtetit. Ndërsa, sipas deputetëve të opozitës, ky ribalanci është më i keqi ndonjëherë dhe bashkë me të nuk ka rritje të pagave dhe pensioneve, por edhe borxhi publik është rritur nga 58 në 68 për qind.

Në ditën e dytë të djeshme, deputetët debatuan rreth uljes së buxhetit për gjykatat dhe prokuroritë publike. Sipas deputetëve të opozitës, institucionet nga pushteti gjyqësor duhet të kenë buxhete më të mëdha, përderisa sipas deputetëve të pozitës këtë buxhet e kanë të tepërt me besim prej vetëm dy për qind te qytetarët.

Zëvendësministri i Financave, Nikolçe Jankullovski dje në seancën e komisionit parlamentar theksoi se kjo Qeveri synon të bëjë konsolidim financiar të gjithë ekonomisë, t'i kuadrojë të gjithë përfituesit e buxhetit dhe të kontrollojë shpenzimet joproduktive, do të vazhdojë rritjen e pagave dhe pensioneve, ndërsa siguroi edhe fonde nga ku mundi për funksionimin normal të shtetit.

Duke iu përgjigjur edhe deputetes Jovanka Trençevska nga LSDM sipas të cilës ky ribalanc është më i keqi deri më tani, Jankullovski potencoi se Qeveria i ka krijuar projeksionet në bazë të situatës të cilën e ka trashëguar. 

"Ky është ribalanci më i keq, si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë. Pagat dhe pensionet në vitet e kaluara janë rritur si asnjëherë më parë, si paga mesatare ashtu edhe ajo minimale dhe si rrjedhojë është përmirësuar jeta e qytetarëve dhe ky është një fakt i pamohueshëm, por edhe një dëshmi e politikave të mira të LSDM-së. Në sferën e pensioneve, nëse ti si VMRO-DPMNE t'i kishe rritur për 11 vjet si ne, në vend që t'i gënjesh pensionistët me 600 denarë, sot do të flisnim për pensione minimale prej 20.000 denarë", tha Trençevska.

Debati i përgjithshëm për Ribalancin e buxhetit zgjat maksimum tri ditë, ndërsa debati për amandamentet, për të cilin janë dorëzuar 58 amendamente, gjashtë ditë. Dje, në ditën e parë të debatit, ministrja Dimitrieska-Koçoska ka shpjeguar ribalancin, duke theksuar se është krijuar në përputhje me gjendjen aktuale në buxhet. Siç tha Dimitrieska-Koçoska, janë siguruar mjete për gjithçka që duhet të paguhet sipas ligjit.

Në Ribalancin e buxhetit, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 318,2 miliarëd denarë, ndërsa shpenzimet në nivel prej 362,8 miliardë denarë. Rritja e PBB-së është projektuar në 2,1 për qind, inflacioni në nivel prej 3,5 për qind, ndërsa deficiti buxhetor në 4,9 për qind. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR