• e diel, 13 tetor 2024

Dita e pavarësisë - 33 vjet "Luftojmë së bashku, së bashku do t'ia dalim!"

Dita e pavarësisë - 33 vjet

Shkup, 8 shtator 2024 (MIA) - Nën sloganin "Së bashku luftojmë, së bashku do t'ia dalim" sot, me shumë aktivitete në organizim të Qeverisë, festohet Dita e Pavarësisë - 8 Shtatori.

Akademia solemne do të mbahet në Filarmoninë e Maqedonisë në Shkup. Festimi do të fillojë me interpretimin e himnit kombëtar të Maqedonisë nga kori i fëmijëve, pas së cilës do të shfaqet videoklipi "Vezilka" (Qendisje), i cili përfshin interpretimin origjinal të poezisë së Blazhe Koneskit. Programi do të vazhdojë me interpretimin e veprave të autorëve maqedonas të ndërlidhur me këtë temë nga orkestra shtetërore e xhazit.

Në kuadër të solemnitetit do të shfaqet edhe një videoklip i veçantë i përgatitur posaçërisht nga kremtimi i pavarësisë, i cili përfshin materiale arkivore nga Referendumi i vitit 1991.

Në fund të programit ceremonial do të mbajë fjalim kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski.

Ngjarja, siç njofton shërbimi për shtyp i qeverisë, është pjesë e nismës më të gjerë të qeverisë për sensibilizimin e rëndësisë së pavarësisë dhe luftës së përbashkët të qytetarëve për një të ardhme më të mirë.

Me rastin e shënimit të 8 Shtatorit - Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, delegacioni parlamentar i kryesuar nga nënkryetarja Vesna Bendevska, i përbërë nga deputetët Karolina Naskovska dhe Mitko Trajçullevski, sot do të vendosin kurora me lule të freskëta para varrit të presidentit të parë të Republikës, Kiro Gligorov, varrit të ish-presidentit të Republikës, Boris Trajkovski, varrit të kryetarit të parë të Qeverisë, Nikolla Klusev dhe para Monumentit të luftëtarëve të  rënë të LNÇ-së.

Aktivitetet filluan mbrëmë me gjuajtje nderi artilerie me gjuajtjen e 10 togave të armatosura nga batalioni i artilerisë së Ushtrisë, në kazermën “Ilinden” në Shkup.

 

По повод 8 – Септември, денот на независноста на Република Северна Македонија, утре во касарната „Илинден ќе се изврши почесна артилериска стрелба.

Në ceremoninë e djeshme në Kuvend, sportistit, trajnerit dhe kryetarit të Federatës së Taekuondos së Maqedonisë, Borçe Kostovski, i është ndarë çmimi vjetor për vepër jetësore “8 Shtatori”. Kostovski arriti suksesin më të madh si trajner i olimpistit Dejan Georgievski, i cili fitoi medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike në Tokio në vitin 2021.

Përveç Kostovskit, Komisioni për ndarjen e çmimit shtetëror "8 Shtatori" i ndau mirënjohje për të arriturat në fushën e sportit, Mirko Dimçevskit, Ramadan Shabanit, Zoran Boshkovskit dhe Dimitar Jovanovit.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në pritjen që organizoi në Dhomën e Ligjvënësit me rastin e 8 shtatorit – Ditës së Pavarësisë, pardje ka thënë se nuk ka moment më të rëndësishëm në historinë e një vendi sesa pavarësia e tij.

"Prandaj sa herë vjen 8 Shtatori, kthehet emocioni i kënaqësisë dhe krenarisë që ne e festojmë ditëlindjen e këtij vendi në paqe, në bashkëjetesë mes popujve të ndryshëm që jetojnë në këtë vend, në marrëdhënie të mira fqinjësore dhe në rrugë të besueshme drejt një perspektive më të mirë zhvillomore dhe euroatlantike", theksoi ai.

Kryetari i Kuvendit theksoi se secili ka meritën dhe kontributin e vet në këto arritje, duke theksuar se nuk duhet të as jemi nihilistë apo defetistë.

"Maqedonia e Veriut në ditëlindjen e saj të 33-të është shtet anëtare e aleancës më të fuqishme të sigurisë, siç është NATO, duke e garantuar kështu paqen në kufijtë e saj, që është jashtëzakonisht e rëndësishme për secilin projekt tjetër, ndërsa është në rrugë të mbarë edhe për aderim në unionin më të suksesshëm të demokracisë, paqes, të drejtave të njeriut dhe mirëqenies, siç është Bashkimi Europian. Kjo është arsyeja, të dashur të pranishëm, që si qytetarë të këtij shteti, e aq më shumë si politikanë të këtij vendi, sot të bëjmë një retrospektivë të asaj që e kemi bërë, të asaj që kemi mundur ta bëjmë dhe të asaj që mund ta bëjmë, gjithnjë një frymë të asaj që e thoshte Xhon Kenedi, Mos pyet se çfarë ka bërë atdheu për ty, por pyet se çfarë ke bërë ti për atdheun tënd”, tha kryetari i Kuvendit Afrim Gashi. 

Para 33 viteve, mbi 95 për qind e qytetarëve votuan për një shtet të pavarur dhe sovran në referendum. Më parë, më 25 janar 1991, në Kuvendin e parë shumëpartiak të Maqedonisë u miratua Deklarata e Pavarësisë, ndërsa dy ditë më vonë deputetët zgjodhën Kiro Gligorovin si president të parë të Republikës së Maqedonisë së pavarur dhe sovrane. Hapa të rëndësishëm për krijimin e shtetësisë ishin miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991, pavarësia monetare dhe vendosja e denarit më 26 prill të vitit 1992 dhe formimi i forcave të veta të armatosura. Subjektiviteti juridik ndërkombëtar i shtetit u konfirmua përfundimisht më 8 prill 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u pranua si anëtari i 181-të me të drejta të plota i Organizatës Botërore. Për shkak të kundërshtimit dhe presionit të Greqisë, e cila nuk e pranoi emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, anëtarësimi në OKB ishte nën referencën e përkohshme: Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Përgjatë 33 viteve të ekzistencës së pavarur, shteti kaloi një sërë problemesh dhe vështirësish. Inflacioni treshifror në fillim të viteve '90, embargoja greke, kriza e refugjatëve në Kosovë dhe konflikti i vitit 2001 ishin sfida dhe kërcënime reale për shtetin e ri maqedonas që ia ngadalësuan rrugën.

Mosmarrëveshja me Greqinë për emrin, pas shumë vitesh bisedime nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, u zgjidh përfundimisht më 17 qershor të viit 2018 në Prespë me nënshkrimin e një marrëveshjeje mes dy vendeve. Me këtë u hap rruga e vendit drejt NATO-s dhe BE-së. Më 27 mars të vitit 2020, Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e NATO-s. Si vend kandidat për anëtarësim në BE prej 18 vitesh, me rekomandimin e parë për fillimin e negociatave në vitin 2009, vendi tani përballet me një bllokadë nga Bullgaria. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR