• e mërkurë, 20 nëntor 2024

Dimitrieska - Koçoska: Paratë nga kredia hungareze javën e ardhshme do të transferohen në llogarinë e valutave të Ministrisë së Financave

Dimitrieska - Koçoska: Paratë nga kredia hungareze javën e ardhshme do të transferohen në llogarinë e valutave të Ministrisë së Financave

Shkup, 8 tetor 2024 (MIA) – Paratë nga marrëveshja për borxhin prej 500 milionë euro me Bankën hungareze për Eksport-Import që sot në Budapest në emër të Qeverisë, e nënshkroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska – Koçoska, pritet javën e ardhshme të transferohen në llogarinë e valutave të Ministrisë së Financave. 

Ajo në “Tema e ditës” në Sitel, nga Budapesti përsëriti se bëhet fjalë për kredi prej 500 milionë euro me normë të interesit prej 3,25 për qind, me periudhë të pagesës prej 15 vjetëve, gjegjësisht grejs periudhë prej tre vjetëve. Ato do të hyjnë si mjete në buxhet, prej ku 250 milionë euro do të dedikohen për Bankën Zhvillimore, ndërsa ajo përmes bankave komerciale do t’i plasojë në sektorin privat për investime, ndërsa 250 milionë të tjera do të mbesin në Buxhet dhe do të jenë të dedikuara për projekte infrastrukturore, gjegjësisht për financim të projekteve të komunave. 

“Sot shfrytëzuam momentin për të folur edhe për plotësimin e dokumenteve shtesë për të kryer pagesën. Pres të enjten kur do të kthehemi në Maqedoni t'i shtypim ato dokumente dhe t'i dërgojmë në Bankën Hungareze dhe gjatë javës së ardhshme mjetet do të transferohen në llogarinë e valutave të Ministrisë së Financave”, tha Dimitrieska-Koçoska, kur u pyet se kur duhet të vinin paratë në llogarinë e shtetit.

Ajo bëri të ditur edhe se kushtet të cilat do të jenë në dispozicion për shfrytëzim të mjeteve nga kjo kredi nga ana e biznesit, përmes bankave komerciale do të vihen në dispozicion për kompanitë nën kushtet e njëjta si edhe për shtetin. 

“Ato (kompanitë) do të duhet të aplikojnë në Bankën Zhvillimore, Banka Zhvillimore do të komunikojë më tej me ta. Më e rëndësishmja është që sektori privat duhet të dijë që ne i kemi siguruar mjetet, që sapo të jenë në llogari do t'i ridrejtojmë në Bankën Zhvillimore dhe më tej ajo do të merret vesh me bankat komerciale se si do të shpërndahen mjetet në bankat komerciale”, thotë Dimitrieska-Koçoska.

E pyetur nëse firmat do të kenë ndonjë detyrim shtesë ndaj bankave komerciale, sepse fillimisht ishte paralajmëruar se kushtet cilat i shfrytëzon shteti nga Hungaria do t’i kenë edhe kompanitë në vend, ministrja e Financave u përgjigj me konfirmim. 

“Të njëjtat kushte. Këtu nuk ka asnjë dilemë. Pra, mbeten të njëjtat kushte – norma e interesit, i njëjti afat për shlyerje 15-vjeçar me grejs periudhë trevjeçare, por ajo që është e rëndësishme që edhe kompanitë e dinë dhe për të cilën kemi folur më parë, flasim për kompanitë që janë produktive, që do të investojë në makineri dhe pajisje. Pse është kështu, thamë që nuk do të theksojmë vetëm kompanitë eksportuese, por mund të jenë edhe kompani vendase që prodhojnë dhe shesin në tregun vendas. Qëllimi është ose të nxisim eksportin ose të ulim importin. Efekti është i njëjtë. Prandaj themi kompanitë prodhuese në të njëjtat kushte me të cilat ne e japim kredinë”, nënvizon Dimitrieska-Koçoska.

Ajo u pyet edhe për atë nëse bankat komerciale nuk do të kërkojnë ndonjë përqindje që ta mundësojnë shërbimin rreth ndarjes së kredive të firmave. 

“Bisedat tona fillestare ishin që ata të merrnin pjesë në të gjithë këtë për të ringjallur ekonominë, sepse ne e dimë që në vitet e kaluara arritëm nivelin, pritshmëritë e sektorit privat ishin shumë të këqija sepse inflacioni po përkeqësohej dhe tani këtu do të bëjmë një përpjekje të përbashkët për të gjetur një mënyrë që bankat komerciale të mbështesin gjithë këtë punë me fitime minimale ose pothuajse aspak. Sigurisht që ne do të flasim, do të bisedojë Banka Zhvillimore me ta dhe do të shohim më tej se si do të shkojë e gjithë procedura”, thotë ministrja e Financave.

Ajo theksoi se në Budapest ishte biseduar edhe për këstin e dytë për 500 milionë euro shtesë me të njëjtat kushte, gjë që, siç thotë ajo, është shumë e rëndësishme për ne si shtet, sepse në janar arrin një eurobond prej 500 milionë eurosh dhe ata janë marrë vesh.  Ministria e Financave, bëri të ditur ajo, javën e ardhshme do të nisë procedurën për miratimin e 500 milionë eurove shtesë, të cilat pritet të nënshkruhen deri në mesin e dhjetorit, ndërsa pagesa të përfundojë deri në mesin e janarit të vitit të ardhshëm.

“Domethënë javën e ardhshme përsëri fillojmë procedurë sepse gjithashtu duhet të miratohet nga ana e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë”, thotë ministrja e Financave. 

Lidhur me akuzat e opozitës se pushteti merr para të dyshimta të cilat na bëjnë peng të borxheve, ajo thekson se e gjithë procedura për kredinë ishte transparente dhe e miratuar me ligj në Parlament. 

“Nuk e di çfarë është e dyshimtë kur e ka votuar Kuvendi, si mund të jetë diçka e dyshimtë. Së dyti, ne jemi shumë transparentë se për çfarë do të shpenzohen paratë dhe mendoj se opozita duhet të shqetësohet pak më shumë se si i ka shpenzuar paratë në të kaluarën. Enti Shtetëror i Revizionit ka nxjerrë raporte, pres që do të ketë raste që do të procedohen më tutje, kështu që do të isha më e shqetësuar për këtë. Në këtë pjesë flasim në mënyrë transparente dhe mendoj se kryeministri Orban kur ishte në Maqedoni e ka shpjeguar shumë qartë se paratë që kanë marrë nga një kredi kineze janë të destinuara për projekte konkrete. Këto janë para hungareze, ndërsa kur flasim për para hungareze, flasim për paratë e Bashkimit Evropian dhe këtu nuk shoh asgjë të diskutueshme”, thekson ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.

Kredinë hungareze e dakorduan kryeministri Hristian Mickoski dhe kryeministri hungarez Viktor Orban gjatë pjesëmarrjes në Samitin e NATO-s në Uashington, ndërsa Ligji për hua ishte votuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut më 17 shtator të këtij viti. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR