• e shtunë, 23 nëntor 2024

Dimitrieska Koçoska: Me ribalancin sigurojmë mjete për gjithçka që është parashikuar me ligj, ndërsa nuk ka pasur mjete të planifikuara

Dimitrieska Koçoska: Me ribalancin sigurojmë mjete për gjithçka që është parashikuar me ligj, ndërsa nuk ka pasur mjete të planifikuara

Shkup, 25 korrik 2024 (MIA) - Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet ka nisur sot debatin për Propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e buxhetit për vitin 2024. Në ekspoze, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska theksoi se ribalanci është zgjidhja më optimale, duke marrë parasysh gjendjen aktuale, resurset në dispozicion, hapësirën e vogël për manovrim dhe gjendjen makroekonomike.

Me ribalancin, të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 318,2 miliardë denarë dhe shënojnë rritje prej 8 miliardë e 22 milionë denarë, ndërsa shpenzimet në nivelin prej 362,8 miliardë denarë, përkatësisht në anën e shpenzimeve ka rritje prej 19,2 miliardë denarë. Rritja e PBB-së parashikohet në 2.1 për qind dhe është rishikuar në raport me 3.4 për qind të planifikuar fillimisht, dhe inflacioni parashikohet në nivelin prej 3.5 për qind dhe në gjysmën e dytë të vitit, rritja e inflacionit pritet të ngadalësohet, pra të stabilizohet tek çmimet e ushqimit dhe energjensave. Deficiti buxhetor është planifikuar në 44,7 miliardë denarë ose 4,9 për qind dhe do të financohet me huamarrje të brendshme dhe të jashtme. Shpenzimet kapitale janë planifikuar në vlerë prej 45 miliardë denarë. Investimet bruto pritet të kenë rritje prej 10 për qind, rritje të konsumit publik prej 3.3 për qind dhe rritje të eksporteve prej 2.5 për qind, ndërsa rritje të importit prej 5.4 për qind.

"Me ribalancin sigurojmë mjete për të gjitha ato dhe për çdo gjë që është paraparë me ligj dhe nuk ka pasur mjete të planifikuara, gjegjësisht mjete për punëtorë, pensionistë, studentë, kompani, si dhe për pagesën e detyrimeve në bazë të kamatës, kredive, etj. Jemi munduar dhe kemi bërë kursime maksimale nga çdo gjë që nuk ka pasur dinamikë të realizimit dhe mjetet që kanë mbetur të pashfrytëzuara nga çdo gjë që paraqet shpenzime jo esenciale dhe kemi arritur të gjejmë kursime prej 20 miliardë denarë dhe t'i përdorim aty ku nevojiten", tha Dimitrieska Koçoska.

Ajo theksoi se aktiviteti ekonomik në tremujorin e parë të vitit 2024 shënoi një rritje reale prej 1.2 për qind, që i detyrohet ekskluzivisht arritjeve pozitive në sektorin e shërbimeve. Në pesë muajt e parë të vitit 2024, siç tha ajo, deficiti tregtar u rrit për 34,1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Në tremujorin e parë të vitit 2024, llogaria rrjedhëse e bilancit të pagesave ka një deficit prej 105 milionë euro kundrejt suficitit prej 92.2 milionë eurosh në të njëjtin tremujor të vitit 2023. Inflacioni shënoi një ngadalësim të rritjes në gjysmën e parë të vitit dhe u stabilizua në nivelin prej 3.7 për qind dhe inflacioni bazë arrin 4.9 për qind.

"Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, gjithsej shpenzimet e realizuara të Buxhetit janë në nivelin prej 168,2 miliardë denarë dhe janë 8,6 për qind më të larta se gjithsej shpenzimet e realizuara në të njëjtën periudhë të vitit 2023. Për shpenzime rrjedhëse janë shpenzuar 155,3 miliardë denarë ose 16,8 për qind më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Pagat dhe kompensimet janë realizuar në vlerë prej 21 miliardë denarë dhe janë më të larta për 22,7 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2023. Për mallra dhe shërbime janë realizuar 10,3 miliardë denarë ose 7,7 për qind më shumë se në vitin 2023, transferet në njësitë e vetëqeverisjes lokale arrijnë në 14,7 miliardë denarë në bazë të subvencioneve nga TVSH-ja dhe bllok-transaksionet, që paraqet rritje prej 11 për qind. Janë paguar  edhe 11,2 miliardë denarë për pagesat e interesit nga kreditë e përdorura dhe letrat me vlerë shtetërore të emetuara, që është 67,8 për qind më shumë se pagesat e realizuara të interesit në vitin 2023. Subvencionet dhe transferet janë realizuar në vlerë të përgjithshme prej 14,4 miliardë denarë dhe janë më të larta për 3,8 për qind se vitin e kaluar. Për transferet sociale janë paguar 82,6 miliardë denarë dhe realizimi i tyre është më i lartë për 16 për qind", sqaroi Dimitrieska Koçoska.

Ajo thekson se shpenzimet kapitale në Buxhet në gjashtëmujorin e parë të vitit janë realizuar në vlerë prej 12,9 miliardë denarë ose vetëm 28,62 për qind nga planifikimi dhe janë për 41 për qind më të ulëta se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023.

"Buxheti në gjashtë muajt e parë të këtij viti ka realizuar deficit prej 23,9 miliardë denarë ose 2,44 për qind nga PBB-ja e parashikuar, që paraqet 71,38 për qind nga deficiti i planifikuar për vitin 2024", theksoi Dimitrieska Koçoska.

Me ribalancin, siç thekson ajo, politika fiskale drejtohet drejt kthimit të stabilitetit makroekonomik dhe mbështetjes së aktivitetit ekonomik përmes konsolidimit gradual fiskal, përmirësimit të menaxhimit të financave publike dhe nivelit të qëndrueshëm të shpenzimeve kapitale.

"Ndryshimet dhe plotësimet në Buxhet i bazuam në supozime realiste makroekonomike dhe projeksione fiskale, duke i dhënë palës së shpenzimeve fondet e nevojshme për shërbimin e detyrimeve të shtetit, planifikimin e fondeve për të cilat ai kishte detyrim, por që nuk ishin parashikuar, si dhe obligimet e duhura ndaj qytetarëve dhe biznesit", tha Dimitrieska Koçoska.

Në anën e shpenzimeve, sqaron ai, ka pasur ulje të shpenzimeve jo thelbësore dhe në projekte me ritëm më të ngadaltë realizimi.

"Njëkohësisht u siguruan mjete për detyrimet e duhura ligjore, si dhe për politikat e reja të Qeverisë për rritjen lineare të pensioneve dhe projektet e infrastrukturës vendore. Të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 318,2 miliardë denarë, ose rritje prej 2,6 për qind, përkatësisht rreth 8 miliardë denarë më shumë se parashikimet fillestare me planin për vitin 2024. Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar për 362,8 miliardë denarë ose më shumë për 5,6 për qind, përkatësisht rreth 19,2 miliardë denarë më shumë se parashikimet fillestare me planin për vitin 2024. Në bazë të projeksioneve të rishikuara të të hyrave dhe shpenzimeve, deficiti është planifikuar në nivelin prej 44,7 miliardë denarë, përkatësisht nga 3,4 në 4,9 për qind të PBB-së fillimisht të planifikuara", tha Dimitrieska Koçoska.

Zhvillimi në Ribalanc, siç thekson ajo, do të financohet me 45 miliardë denarë të planifikuar për shpenzime kapitale, ndërsa projektet kapitale me dinamikë më të ngadaltë janë rishikuar, veçanërisht në rastin e projekteve kapitale që realizohen në llogari të veçanta.

Debati i përgjithshëm në Komisionin për financim dhe buxhet për ribalancin e buxhetit zgjat më së shumti tri ditë, ndërsa debati i amendamenteve zgjat gjashtë ditë. Në ditën e dhjetë Komisioni voton për ribalancin në tërësi. Në propozimin e ribalancimit janë paraqitur 58 amendamente. sa/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR