Deri në orën 14 në zgjedhjet për lider të ri të LSDM-së kanë votuar 28,61 për qind e votuesve të regjistruar
- LSDM-ja sot në zgjedhjet e jashtëzakonshme brendapartiake zgjedh lider të ri. Kryetarja e Komisionit qendror të zgjedhjeve për zgjedhjen e kryetarit të LSDM-së, Viktorija Avramovska-Madiq informoi se sipas llogaritjes së bërë në orën 14 kanë dalë 6.706 votues ose 28,61 për qind.
- Post By Fami Bajrami
- 16:22, 30 qershor, 2024
Shkup, 30 qershor 2024 (MIA) – LSDM-ja sot në zgjedhjet e jashtëzakonshme brendapartiake zgjedh lider të ri. Kryetarja e Komisionit qendror të zgjedhjeve për zgjedhjen e kryetarit të LSDM-së, Viktorija Avramovska-Madiq informoi se sipas llogaritjes së bërë në orën 14 kanë dalë 6.706 votues ose 28,61 për qind.
"Në orën 8 të mëngjesit janë hapur 77 vendvotime, votimi do të zgjasë deri në orën 20. Për momentin llogaritja e bërë nga Komisioni qendror i zgjedhjeve në orën 14 është ai i numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të LSDM-së, ku kanë dalë 6.706 ose 28,61 për qind", informoi Madiq.
Shtoi se pas përfundimit të votimit në orën 20, KQZ do të informojë për rezultatet e zgjedhjeve të sotme, si dhe daljen e përgjithshme.
Lidhur me vërejtjet e kandidatit për kryetar të LSDM-së, Jovan Despotovski se një numri të madh të anëtarëve të partisë nuk është lejuar të votojnë, Madiq tha se bëhet fjalë për një numër të vogël të votuesve që nuk janë regjistruar aktivisht.
"Bëhet fjalë për një numër shumë të vogël të votuesve, në nivel të Maqedonisë nuk ka as rreth njëzetë. Duhet të përmend se sot të gjithë ata që janë të regjistruar në listën zgjedhore, aktivisht janë regjistruar në dy mënyra, njëra është onlajn ose duke u regjistruar në organizatën komunale dhe posedojnë librezë të kuqe, sepse duhet të votojnë përmes lexuesit. Të gjithë ata që janë në listën zgjedhore dhe për momentin nuk kanë librezë e kanë humbur ose është dëmtuar, KQZ-ja lëshon librezë anëtarësimi për ata që dëshirojnë të marrin përmes organizatës komunale. Dje janë lëshuar libreza të anëtarësimit dhe gjatë ditës kemi thënë se gjithçka është e mundur. Bëhet fjalë për një numër shumë të vogël të personave që pretendojnë se janë regjistruar në mënyrë aktive, ndërsa sistemi nuk tregon se në asnjë mënyrë janë regjistruar në mënyrë aktive", tha Madiq.
Kandidati për lider të ri të LSDM-së, Jovan Despotovski sot pas votimit në Komunën e Karposhit deklaroi se pret që deri në fund të respektohet parimi i procesit zgjedhor demokratik, por theksoi se ka informacione për një numër të madh të anëtarëve të partisë që janë pamundësuar të votojnë. LSDM, siç tha ai, është parti politike që nuk duhet të lejojë në asnjë moment që anëtarët e saj t’i kthejë nga vendvotimet.
I gjithë procesi i votimit në zgjedhjet e brendshme partiake për kryetar të LSDM-së sipas informacioneve në mbarë vendin zhvillohet qetë dhe ka një frymë pozitive te të gjithë pjesëmarrësit në procesin e votimit, deklaroi nga ana tjetër kandidati për kryetar të ri të partisë Venko Filipçe, pas votimit në vendvotimin e tij në Komunën e Karposhit.
Zgjedhja e kryetarit do të bëhet nga numri i përgjithshëm i atyre që kanë dalë, pra ai që do të arrijë 50 plus 1 për qind të votave të atyre që kanë dalë, nëse kjo nuk ndodhë atëherë votimi do të përsëritet në raundin e dytë. Lista zgjedhore do të numërojë gjithsej 23.373 anëtarë të akredituar të LSDM-së.
Foto: MIA