• e martë, 24 dhjetor 2024

Delegacioni i BE-së: Presim hetim të shpejtë nga autoritetet shtetërore për emërimet në M-NAV

Delegacioni i BE-së: Presim hetim të shpejtë nga autoritetet shtetërore për emërimet në M-NAV

Shkup, 9 janar 2024 (MIA) - Delegacioni i BE-së sot kumtoi se me shqetësim po ndjek zhvillimet në lidhje me ofruesin kombëtar të shërbimeve të navigacionit (M-NAV). Ata gjithashtu theksojnë se imperativ është që emërimi në ofruesin kombëtar të shërbimeve të navigacionit si edhe për institucionet e tjera të bazohet në meritë, kualifikim dhe përvojë.

"Kujtojmë faktin se Maqedonia e Veriut është zotuar të implementojë legjislacionin e BE-së në lidhje me ofruesin e shërbimeve të navigacionit (ANSP). Kjo përfshin dispozita që kanë për qëllim të sigurojnë pavarësinë e ANSP nga shteti, që personeli - veçanërisht kontrollorët e fluturimit - të plotësojnë kërkesat ligjore për vende të tilla të punës dhe që ofrimi i shërbimit të respektojë sigurinë, ekonominë, kapacitetin dhe mjedisin jetësor", theksohet në komunikatë.

Theksohet se pritet që nga ana e institucioneve të kryhet hetim i shpejtë lidhur me pretendimet për punësim.

"Presim që autoritetet shtetërore të hetojnë pretendimet gjatë emërimeve në këto shërbime. Gjithashtu presim që autoritetet shtetërore të hetojnë raportet për ndikim të jashtëm dhe dhunë kundër personelit që punon në M-NAV", thonë nga Delegacioni i BE-së.

Sindikata e kontrollorëve të fluturimit ka pezulluar grevën që kishte paralajmëruar për nesër me mbyllje të plotë të fluturimeve në qiellin e Maqedonisë, pasi Qeveria sot i dha udhëzime Këshillit mbikëqyrës në navigacionin e Maqedonisë M-NAV që të shkarkojë kryetarin e Këshillit drejtues të M-NAV Fahrudin Hamidi dhe drejtorin ekzekutiv të sektorit në M-NAV Lube Stamenkovski dhe në vend të tyre të emërojë Ilir Mehmetin dhe Milan Koraqin.

Ndryshimet në kreun e M-NAV Qeveria i paralajmëroi pas incidentit që ndodhi javën e kaluar në këtë institucion dhe sulmit ndaj punonjësve, ndërsa më herët Sindikata ka reaguar për zbatimin e konkursit të fundit për punësim në M-NAV nga ana e menaxhmentit.

Në M-NAV sot kontrolle ka kryer Drejtoria e Policisë financiare.

Për incidentin e 4 janarit në M-NAV, Prokuroria Themelore Publike Shkup, siç kumtoi ka hapur procedurë hetimore ndaj tetë personave për të cilët ekziston dyshim se kanë kryer vepër penale si bashkëpjesëmarrës - Rrezikimi i sigurisë së komunikacionit ajror nga neni 303 paragrafi 2 në lidhje me nenin 22 të Kodit penal.
Më herët, Sindikata ka kërkuar që drejtorët të japin dorëheqje ose të shkarkohen nga Qeveria e cila ka paralajmëruar kumtesë për vendimet e sotme.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR