• e martë, 24 dhjetor 2024

Deklaratë nga takimi i liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni në Shkup

Deklaratë nga takimi i liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni në Shkup

Shkup, 11 shtator 2023 (MIA) - Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, luftimi i efekteve të ndryshimeve klimatike dhe zbutja e tyre dhe mbajtja e të rinjve në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë pikat kryesore në Deklaratën e përbashkët të Shkupi, të liderëve të vendeve pjesëmarrëse nga procesi Bërdo-Brioni.

Teksti zyrtar i deklaratës është i harmonizuar në gjuhën angleze, ndërsa vijon një përkthim protokollar në gjuhën maqedonase.

“Ne, udhëheqësit e Procesit Bërdo-Brioni, të udhëhequr nga parimet e bashkëpunimit rajonal, demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm, u takuam në Shkup më 11 shtator të vitit 2023, për të njohur dhe theksuar rëndësinë jetike të përshpejtimit të procesit integrues të Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian, nevojën për t'u përshtatur me efektet e ndryshimeve klimatike dhe debatit në lidhje me masat për të siguruar vitalitetin e shoqërive duke mbajtur të rinjtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Duke synuar një të ardhme të avancuar dhe të sigurt të Ballkanit Perëndimor si parakusht për përparimin dhe stabilitetin e Evropës, nënvizojmë sa vijon:

Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian:

Ne obligohemi, duke riafirmuar qëndrimin tonë në lidhje me politikën e zgjerimit të BE-së dhe perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si kontributi më i drejtpërdrejtë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, dhe tani, më shumë se kurrë, si një çështje gjeopolitike, të intensifikojmë dialogun strategjik me institucionet e BE-së për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në BE dhe për të parandaluar anashkalimin e rajonit. BE-ja, si dhe Ballkani Perëndimor, duhet të jenë gati për zgjerim në kohën më të shkurtër të mundshme, por jo më vonë se viti 2030 për të arritur këtë qëllim.

Lidhur me agresionin e vazhdueshëm rus kundër Ukrainës dhe efektin e përhapjes në Ballkanin Perëndimor, ne ritheksojmë nevojën për një BE të fortë, rezistente dhe gjithëpërfshirëse, me Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj.

Ne e pranojmë faktin se reformat gjithëpërfshirëse politike, ekonomike dhe sociale janë thelbësore për anëtarësimin në BE. Ne marrim përsipër të intensifikojmë përpjekjet tona në zbatimin e reformave në Ballkanin Perëndimor që synojnë forcimin e shtetit ligjor, përparimin, funksionimin e institucioneve demokratike dhe administratës publike.

Ne konfirmojmë se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë thelbësore për përparimin në rrugët e duhura të BE-së. Ne angazhohemi të punojmë së bashku për të kultivuar një atmosferë besimi të ndërsjellë, mirëkuptim, zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme të çështjeve dypalëshe të pazgjidhura dhe solidaritet mes nesh.

Ne theksojmë rëndësinë e arritjes së përfitimeve dhe mundësive të dukshme për qytetarët e Ballkanit Perëndimor edhe përpara anëtarësimit zyrtar. Prandaj, ne ftojmë BE-në të marrë në konsideratë hapjen e shtigjeve që do t'i mundësonin Ballkanit Perëndimor të aksesojë politikat, iniciativat dhe fondet specifike të BE-së, duke sjellë kështu disa nga përfitimet e anëtarësimit në BE më afër popullit të Ballkanit Perëndimor sot.

Në këtë kuptim, ne nënvizojmë urgjencën e përdorimit të metodologjisë së re të negociatave për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në BE në bazë të meritave, si dhe për të siguruar përparimin e integrimit gradual midis BE-së dhe rajonit gjatë vetë procesit të zgjerimit.

Luftimi i efekteve të ndryshimeve klimatike dhe zbutja e tyre:

Duke njohur nevojën urgjente për t'u përshtatur me kërcënimin në rritje të shpejtë të ndryshimeve klimatike në rajon, ne theksojmë se përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike është një përgjegjësi e përbashkët që kërkon përpjekje të përbashkëta nga qeveritë tona, shoqëria civile, sektori privat dhe partnerët ndërkombëtarë. Këto përpjekje duhet të koordinohen me BE-në dhe programet e lidhura me të.

Trajtimi i sfidave të ndryshimeve klimatike, tranzicionit të gjelbër dhe rritjes së gjelbër, së bashku me diversifikimin e zgjeruar të energjisë dhe kalimin drejt energjisë së rinovueshme dhe efikasitetit, duhet të avancohet më tej. Ne jemi të përkushtuar të përshpejtojmë tranzicionin drejt burimeve të rinovueshme të energjisë dhe të rrisim efikasitetin e energjisë në mënyrë që të reduktojmë karbonin dhe të sigurojmë një të ardhme të qëndrueshme energjetike. Kjo mund të përfshijë investime të shëndosha mjedisore në burimet hidro, diellore, të erës dhe gjeotermale.

Ne mirëpresim Paketën e Mbështetjes së Energjisë prej 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor, me të cilën BE-ja shtrin masat e solidaritetit të marra brenda BE-së pas agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës, si mbështetja për familjet e cenueshme dhe ndërtimi i infrastrukturës së re energjetike.

Duke njohur pasurinë e peizazheve tona natyrore dhe biodiversitetit, ne do të punojmë së bashku për të ruajtur dhe mbrojtur ekosistemet tona unike dhe për të promovuar praktika të qëndrueshme të përdorimit të tokës.

Ne do të mbështesim investimet në infrastrukturën rezistente ndaj klimës dhe të qëndrueshme ndaj mjedisit dhe masat e gatishmërisë ndaj fatkeqësive për të mbrojtur shoqëritë tona nga ndikimi i kushteve ekstreme të motit. Përmbytjet që goditën Slloveninë dhe Kroacinë këtë vit, si dhe zjarret në pyje në të gjithë rajonin, janë konfirmim i nevojës për punë të përbashkët dhe ndihmë reciproke në përballjen me sfidat e përbashkëta. Solidariteti është një vlerë që ka qenë gjithmonë pjesë e pandashme e bashkëpunimit tonë. Në këtë frymë, ne inkurajojmë zhvillimin dhe përdorimin e praktikave të mira, duke përfshirë mekanizmat europianë, duke koordinuar ndihmën si në mënyrë dypalëshe ashtu edhe shumëpalëshe, në mënyrë që të sigurohet që ndihma të jetë gjithmonë e disponueshme për ata që kanë më shumë nevojë.

Mbajtja e të rinjve në rajonin e Ballkanit Perëndimor:

Emigrimi i të rinjve nga Ballkani Perëndimor ka pasoja të rëndësishme për vitalitetin afatgjatë të shoqërive tona, rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe progresin social. Ne e njohim rëndësinë thelbësore të mbajtjes së të rinjve brenda Ballkanit Perëndimor. Ne besojmë fuqimisht se shfrytëzimi i potencialit të të rinjve është jetik për përparimin e shoqërive tona dhe për arritjen e prosperitetit afatgjatë.

Ne theksojmë rëndësinë e bashkëpunimit me BE-në dhe mbështetjen për mbajtjen e të rinjve në rajon. Angazhimi dhe partneriteti me BE-në janë çelësi për të siguruar zbatimin e suksesshëm të strategjive që synojnë të ushqejnë dhe shfrytëzojnë potencialin e të rinjve.

Ne festojmë diversitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe jemi të përkushtuar për të promovuar shkëmbimin kulturor dhe mirëkuptimin midis të rinjve. Duke nxitur shoqëritë gjithëpërfshirëse dhe të hapura, ne synojmë të krijojmë një mjedis që do të inkurajojë të rinjtë të qëndrojnë ose të kthehen dhe të kontribuojnë në zhvillimin kolektiv të rajonit.

Ne e njohim rëndësinë e arsimit cilësor. Ne do të punojmë për të përmirësuar sistemet arsimore dhe për të rritur mundësitë që të rinjtë të fitojnë kompetenca dhe aftësime të përshtatshme.

Ne jemi të përkushtuar për të krijuar një mjedis biznesi tërheqës dhe konkurrues që inkurajon inovacionin, sipërmarrjen dhe krijimin e vendeve të punës, duke mbajtur kështu të rinjtë në rajon.

Ne pohojmë se bashkëpunimi në këto fusha është thelbësor për forcimin e zhvillimit të kapitalit njerëzor, ndalimin e ikjes së trurit dhe inkurajimin e rrjedhës së trurit, si dhe nxitjen e zhvillimit të një ekosistemi afatgjatë, të qëndrueshëm dhe inovativ dhe kalimin drejt një ekonomie të bazuar në njohuri, duke ofruar një perspektivë më të mirë për të rinjtë në rajon”, thuhet në deklaratën e përbashkët nga Shkupi.

Në takimin e sotëm në Shkup do të merrnin pjesë presidenti Stevo Pendarovski, si organizator, presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Millanoviq dhe presidentja e Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, në rolin e bashkëorganizatorëve, si dhe presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq dhe anëtarët e presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës: Zheljko Komshiq, Denis Beqiroviq dhe Zheljka Cvijanoviq.

Foto: MIA arkiv

 

QËNDRONI TË LIDHUR