Debat: Parlamentet kanë rol kryesor në promovimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut
- Parlamentet kanë rol kryesor në promovimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, duke i shndërruar angazhimet ndërkombëtare dhe evropiane në legjislacionet dhe politikat nacionale. Parlamentet, gjithashtu, kanë rol themelor në vendosjen dhe mbajtjen e kornizës efektive institucionale në avancimin e të drejtave të njeriut... janë pjesë e konkluzioneve të ngjarjes së sotme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në organizimin e përbashkët me Kombet e Bashkuara në vend me temën "Kontributi i Parlamentit në punën e Këshillit të KB-së për të Drejtat e Njeriut dhe Rishikimin Periodik Universal (RPU)".
Shkup, 12 qershor 2023 (MIA) - Parlamentet kanë rol kryesor në promovimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, duke i shndërruar angazhimet ndërkombëtare dhe evropiane në legjislacionet dhe politikat nacionale. Parlamentet, gjithashtu, kanë rol themelor në vendosjen dhe mbajtjen e kornizës efektive institucionale në avancimin e të drejtave të njeriut... janë pjesë e konkluzioneve të ngjarjes së sotme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në organizimin e përbashkët me Kombet e Bashkuara në vend me temën "Kontributi i Parlamentit në punën e Këshillit të KB-së për të Drejtat e Njeriut dhe Rishikimin Periodik Universal (RPU)".
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në fjalën e tij hyrëse, theksoi se parlamentet janë hallka kryesore për shndërrimin në legjislacionin nacional të rekomandimeve që dalin nga mekanizmat ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe Rishikimin Periodik Universal, që është një nga mekanizmat më të rëndësishëm të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut për të rishikuar përmbushjen e detyrimeve të secilit vend anëtar të organizatës botërore.
“Parlamentet janë partnerë natyrorë të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe kjo marrëdhënie njihet edhe në rezolutat e Këshillit për rolin e parlamenteve. Ata mund të përfshihen aktivisht në çdo fazë të procesit të Rishikimit Periodik Universal. Parlamentet dhe deputetët mund të kontribuojnë në përgatitjen e raportit nacional dhe të inkurajojnë Qeverinë që të zbatojë proces të gjerë të konsultimeve”, tha Xhaferi në këtë ngjarje, ku përveç deputetëve dhe përfaqësuesve të KB-së, morën pjesë edhe përfaqësuesit e institucioneve dhe shoqatave civile në kompetencën e të cilit është mbrojtja dhe avancimi i të drejtave dhe lirive të njeriut.
Rosana Duxhak, koordinatore e përhershme e KB-së në Maqedoninë e Veriut, duke falënderuar për bashkëpunimin e shkëlqyer me Kuvendin e RMV-së, theksoi se parlamenti është i përfshirë në shumë procese për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe se ka rol shumë aktiv në këtë drejtim. Parlamenti, siç tha, është vend për konsultime të gjera, duke qenë se është një proces publik, gjithëpërfshirës dhe transparent.
Duxhak theksoi se këtë vit shënohet 75-vjetori i Deklaratës së KB-së për të Drejtat e Njeriut dhe se zbatimi i saj i mëtejshëm duhet të garantojë "një të ardhme në të cilën askush nuk do të harrohet".
Sepide Mohaxher, koordinatore në Departamentin e RPU-së në Zyrën e Komisionerit të Lartë të KB-së për të Drejtat e Njeriut, në fjalën e saj, theksoi se Këshilli për të Drejtat e Njeriut, në periudhën prill - maj 2024, do të shqyrtojë situatën në Maqedoninë e Veriut, në kuadër të ciklit të katërt të RPU-së. Në kuadër të këtij procesi, përkatësisht gjatë rishikimit të fundit para katër viteve, siç tha ajo, Maqedonia e Veriut ka marrë 165 rekomandime, prej të cilave vendi ka pranuar 135, për të cilat tashmë po punohet.
“Procesi është mundësi për pjesëmarrjen e shtuar dhe aktive dhe për kontributin thelbësor të Kuvendit të RMV-së në Këshillin e KB-së për të Drejtat e Njeriut”, theksoi Mohaxher.
Deputeti Halil Snopçe, kryetar i Komisionit të Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarit, në fjalën e tij tha se Deklarata e të Drejtave të Njeriut e KB-së, edhe pse nuk është e detyrueshme për shtetet, megjithatë është shumë e rëndësishme dhe ka peshë të madhe, sepse në të bazohen edhe shumë deklarata dhe konventa të tjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gjithashtu, siç theksoi, dispozitat e kësaj Deklarate janë futur në kushtetutat e vendeve të caktuara, duke fituar kështu efekt juridik.
Në vendet e vogla, tha Snopçe, mbrojtja e të drejtave të njeriut fillon në shtëpi, pastaj në lagje, shkolla, në vendin e punës... Parlamentet, nga ana tjetër, siç theksoi, kanë rol të madh në avancimin e kornizës ligjore për sundimin e së drejtës, dhe me të edhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Deputetja Gordana Siljanovska Davkova, kryetare e Komisionit për Mundësi të Barabarta Ndërmjet Meshkujve dhe Femrave, vlerësoi se në aspektin e respektimit dhe avancimit të të drejtave të njeriut në vend, duhet të forcohet roli kontrollues i pushtetit ligjvënës mbi pushtetin ekzekutiv. Për barazinë gjinore dhe rolin e Kuvendit në atë proces, ajo theksoi se në vend ka numër të respektueshëm të deputeteve dhe se angazhimi është që përfaqësimi gjinor në parlament të jetë 50-50 dhe të bëhen ndryshime për Rregulloren e Kuvendit "me ndjeshmëri gjinore".
Siç informojnë nga pres shërbimi kuvendor, në ngjarjen e sotme në Kuvend u theksua se parlamentet janë hallka kryesore përmes së cilës mekanizmat ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut barten në nivelin nacional. Ato janë vendi qendror për debat konstruktiv, shkëmbim përvojash dhe vendimmarrje. Nëpërmjet iniciativave ligjvënëse, hetimeve parlamentare, debateve publike, publikimit dhe shqyrtimit të raporteve, parlamentet ndikojnë dhe e formësojnë diskursin e të drejtave të njeriut dhe inkurajojnë dhe drejtojnë zhvillimin e demokracisë dhe sundimin e së drejtës. ar/
Foto: Kuvendi i Republikë së Maqedonisë së Veriut