Dënohet incidenti me flamurin maqedonas, organet kompetente po ndërmarrin masa
- Ndërkohë, partitë politike në vend kanë dënuar incidentin në fjalë dhe kërkojnë që autorët të gjenden dhe të dënohen sipas ligjit.
- Post By Fami Bajrami
- 11:40, 29 nëntor, 2024
Shkup, 29 nëntor 2024 (MIA)- Prokuroria Publike ka thënë se po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit me incidentin me flamurin maqedonas.
"Është njoftuar prokurori publik, po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit", njoftojnë nga PPRMV.
Ndërkohë, partitë politike në vend kanë dënuar incidentin në fjalë dhe kërkojnë që autorët të gjenden dhe të dënohen sipas ligjit.
Kështu, VMRO-DPMNE ka reaguar ashpër dhe dënoi përdhosjen e flamurit maqedonas që ndodhi ditën e djeshme.
"Njëherësh reagojmë ndaj thirrjeve fyese të grupeve të papërgjegjshme pas të cilave besojmë se ka prapavijë politike dhe të cilët përmes temave dhe ndarjeve etnike duan të imponohen në diskursin publik në mungesë të një ofertë politike reale. Ligji duhet të respektohet nga të gjithë njëlloj dhe presim që institucionet kompetente të sanksionojnë ata që shkelin ligjin", thonë nga VMRO-DPMNE.
Edhe LSDM-ja dënoi aktet duke kërkuar përgjegjësi nga kryeministri dhe numri një i policisë.
"Incidentet në Shkup dhe qytetet tjera në mbarë vendin janë absolutisht të papranueshme, ato paraqesin kërcënim të drejtpërdrejtë mbi marrëdhëniet ndëretnike, sigurinë publike dhe dinjitetin e maqedonasve. Respekti për simbolet dhe identitetin e çdo komuniteti është themeli i shoqërisë sonë të përbashkët dhe çdo sjellje që synon të shkaktojë përçarje apo tensione është në kundërshtim me këto vlera", thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Incidentin e ka dënuar edhe kreu i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski i cili thotë se është për një shoqëri të vërtetë multietnike në të cilën të gjithë do të respektojnë njëri-tjetrin dhe ku të gjithë janë njësoj para ligjit.
“Fatkeqësisht, ajo që pamë sot në shumë vende, përfshirë edhe në Kumanovën time, veçanërisht vandalizmi i individëve dhe grupeve, mosrespektimi i ligjit për përdorimin e flamujve nga institucionet dhe organet, dhe shkatërrimi dhe përdhosja e flamurit të shtetit dhe të Maqedonisë tonë është për çdo dënim. Pas kësaj sot po vihet në provë kapaciteti ynë multietnik është një dëshirë e sinqertë apo thjesht një farsë? Unë jam për një shoqëri të vërtetë multietnike në të cilën të gjithë do të respektojmë njëri-tjetrin me të drejta dhe detyrime të barabarta dhe ku të gjithë janë njësoj para ligjit. Të shkelësh dhe të grisësh, të shkatërrosh flamurin e një vendi që të ngriti, të edukoi, pagoi dhe paguan, investon në ty është krim dhe duhet të mbash përgjegjësi”, deklaroi Maksim Dimitrievski, kryetar i Komunës së Kumanovës.
Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dënoi ashpër ndërhyrjen e paprecedent të policisë gjatë festimeve të Ditës së flamurit shqiptar, një ditë me rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë botën. Kjo ndërhyrje, sipas tyre në vend që të ruante rendin publik, provokoi tensione të panevojshme dhe krijoi një klimë konfrontimi, duke cenuar të drejtën për të festuar lirshëm këtë ditë simbolike.
Njëkohësisht, ata dënojnë aktin individual të djegies së flamurit shtetëror, që erdhi si reagim ndaj ndërhyrjes së panevojshme të policisë. Veprime të tilla nuk përfaqësojnë vlerat e shqiptarëve dhe as aspiratat tona për bashkëjetesë të qëndrueshme dhe respekt të ndërsjellë.
"I bëjmë thirrje institucioneve të veprojnë me maturi, profesionalizëm dhe paanshmëri, pa dallim, dhe duke garantuar të drejtën e qytetarëve për të shprehur lirshëm identitetin dhe kulturën e tyre. Në të njëjtën kohë, ftojmë qytetarët shqiptarë dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që të ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin, duke mos rënë pre e provokimeve dhe manipulimeve të atyre që synojnë të përçajnë dhe të destabilizojnë vendin", thonë në BDI.
Në kumtesën e saj, VMRO-DPMNE-ja madje në mënyrë direkte akuzon BDI-në për nxitjen e këtyre grupeve dhe veprimeve të tyre tensionuese.
“BDI-ja janë hipokritë, nga njëra anë organizojnë skenarë të zinj për konflikte etnike me LSD-në, nga ana tjetër bëjnë sikur janë të shqetësuar dhe nxisin grupe të tensionojnë dhe të sjellin përçarje. Kështu sunduan për mbi 20 vjet. BDI-ja duhet ta dijë se LSD nuk është në pushtet, dhe BDI është opozitë. Dhe të gjitha instrumentet e tyre dhe ata që do të shtrijnë dorën për prishje të rendit dhe qetësisë do të mbajnë përgjegjësi. As BDI-ja e as Ahmeti nuk janë mbi ligjin”, reagojnë nga VMRO-DPMNE-ja.
Nga E Majta kërkojnë që organet kompetente të kryejnë urgjentisht hetime për të gjitha incidentet dhe të sanksionohen.
"Kujtojmë se heshtja për poshtërimet nuk ndërton bashkëjetesë, por vetëm ndihmon në arritjen e qëllimit përfundimtar të irredentizmit të BDI-së dhe VLEN-t, që është federalizimi dhe copëtimi i Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e partisë “E Majta”.
Ndërkaq, reagime ka pasur edhe nga partitë tjera.
Foto: arkivi i MIA-s