• e diel, 22 dhjetor 2024

Cipras sot do ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë

Cipras sot do ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë

Athinë, 23 мај 2023 (MIA) – Lideri i SYRIZA-s, Aleksis Cipras sot paradite do të pritet nga presidentja greke Katerina Sakelaropulu, e cila në pajtim me dispozitat e Kushtetutës do t'ia ndajë mandatin për formimin e Qeverisë, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Pasi kryetari i Demokracisë së Re, Kirjakos Micotakis dje e ktheu mandatin, tani shkon në duart e partisë që doli e dyta në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

SYRIZA i fitoi 20,07 për qind të votave dhe 71 vende deputetësh, me çka është larg shumicës së nevojshme parlamentare prej 151 deputetë për formimin e Qeverisë.

Me gjasë Ciprasi shpejtë do t'ia kthejë mandatin Sakelaropulus ose aspak nuk do ta pranojë, kështu që e radhës do të jetë partia e tretë gjegjësisht PASOK - Lëvizja për ndryshim.

Pasi të përfundojë cikli me mandatet e dy partive të para, është paraparë presidentja e Greqisë ose të konvokojë takim liderësh ose të bisedojë me kryetarët e të gjitha partive në përpjekjen e fundit për formimin e Qeverisë dhe nëse është pa rezultat, hapi i radhës është formimi i Qeverisë zyrtare me një qëllim të vetëm që ta çojë vendin në zgjedhje.

Bëhet fjalë për procedura formale kushtetuese që filluan dje, edhe pse tashmë është e sigurt se vendi do të shkojë në zgjedhjet e dyta, ndërsa Micotakisi propozon të jenë më 25 qershor, me çka Greqia në mënyrë eksprese do të gjendet në periudhën e dytë parazgjedhore dhe nuk bëhet fjalë për raund të dytë, por për zgjedhje të reja.

Në zgjedhjet e ardhshme do të zbatohet ligji zgjedhor i votuar në vitin 2020 dhe do të aplikohet sistemi i përzier me përfaqësim të përforcuar proporcional, që do të thotë kthim i bonus deputetëve për partinë e parë.

Bonusi nuk do të jetë fiks prej 50 deputetësh si paraprakisht, por numri do të jetë në varësi të votave të fituara dhe do të lëvizë midis 20 dhe 50 vende deputetësh.

Demokracia e Re fitoi në zgjedhjet parlamentare të dielën, por për shkak të modelit zgjedhor proporcional që nuk parasheh bonus deputetë për partinë e parë, nuk ka mundësi të formojë Qeveri njëpartiake.

QËNDRONI TË LIDHUR