• e diel, 22 dhjetor 2024

Cipras nuk e pranoi mandatin, tha se mori përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve dhe u kërkoi falje mbështetësve

Cipras nuk e pranoi mandatin, tha se mori përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve dhe u kërkoi falje mbështetësve

Athinë, 23 maj 2023 (MIA) - E kam kryer detyrën time institucionale që të vij dhe t'ju them se nuk do ta pranoj mandatin, sepse nuk ka mundësi të formohet Qeveria, tha kreu i SYRIZA-s, Aleksis Cipras në takimin me presidenten greke Katerina Sakelaropulu, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Pasi kryetari i Demokracisë së Re Kirjakos Micotakis dje e ktheu mandatin, sipas procedurës kushtetuese formale, sot Sakelaropulu e priti liderin e partisë së dytë të renditur në zgjedhjet parlamentare.

Cipras sqaroi se nuk ka arsye ta pranojë mandatin, ndërsa Sakelaropulu shfaqi shpresë se në zgjedhjet e ardhshme do të formohet Qeveria.

Pas takimit në pallatin presidencial lideri i SYRIZA-s, në një deklaratë për mediat tha se po ndërmerr përgjegjësi për rezultatin zgjedhor i cili për ta ka qenë "një goditje e dhimbshme" dhe u kërkoi falje votuesve dhe mbështetësve.

"Unë personalisht marr përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat, por në fjalorin tim moral "të marrësh përgjegjësi" do të thotë të qëndrosh drejt dhe të luftosh. Dhe kjo është pikërisht ajo që do të bëj. Sigurisht që marr përgjegjësinë dhe i kërkoj falje njerëzve që lënduam, qindra mijëra miqve, luftëtarëve dhe votuesve të SYRIZA-s dhe u premtoj se do të luftojmë së bashku në betejën e re, për të mos pasur një Qeveri të plotfuqishme, të pakontrolluar, hegjemoniste dhe arrogante. Kjo është e keqe për demokracinë dhe për vendin", tha Cipras.

Duke qenë se liderët e Demokracisë së Re dhe SYRIZA-s i kthyen mandatet, Sakelaropulu do të ftojë kryetarin e partisë së tretë, PASOK – Lëvizja për Ndryshim.

Bëhet fjalë për një procedurë kushtetuese formale që filloi dje, edhe pse tashmë është e sigurt se vendi do të shkojë në zgjedhje të dyta", ndërsa Micotakis propozon të mbahen më 25 qershor. sa/

Foto. MIA

QËNDRONI TË LIDHUR