CDC: Rastet e vdekjeve në Afrikë nga lija e majmunit tashmë janë mbi 1.000
- Rreth 1.100 njerëz në të gjithë Afrikën kanë vdekur nga lija e majmunit, njoftoi sot agjencia shëndetësore e Unionit Afrikan, duke paralajmëruar se epidemia po "del jashtë kontrollit".
- Post By Ajrije Rexhepi
- 18:20, 17 tetor, 2024
Johanesburg, 17 tetor 2024 (MIA) - Rreth 1.100 njerëz në të gjithë Afrikën kanë vdekur nga lija e majmunit, njoftoi sot agjencia shëndetësore e Unionit Afrikan, duke paralajmëruar se epidemia po "del jashtë kontrollit".
Gjithsej, 42.000 raste janë regjistruar në Afrikë që nga janari, bëri të ditur Qendra për Kontrollin dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC Afrikë), me rastet e raportuara për herë të parë në Zambia dhe Zimbabve.
Në përgjithësi, në 18 shtete në kontinentin afrikan është regjistruar lija e majmunit, theksohet në raport.
"Lija e majmunit po del jashtë kontrollit nëse ne nuk veprojmë", tha shefi i CDC-së Afrikë, Zhan Kaseja në një brifing onlajn.
"Jam shumë i trishtuar të them se për 40 javë - kemi më shumë se 1.100 raste të vdekjeve nga lija e majmunit".
Shumica e vdekjeve janë në Republikën Demokratike të Kongos, epiqendra e shpërthimit, ku filloi një aksion për vaksinim në fillim të këtij muaji.
Kaseja shtoi se në të gjithë kontinentin ka "gjithnjë e më shumë raste të reja çdo javë".