• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Bytyqi: Përgjegjësia shoqërore sjell shans për zhvillim dhe të ardhme më të mirë për të rinjtë

Bytyqi: Përgjegjësia shoqërore sjell shans për zhvillim dhe të ardhme më të mirë për të rinjtë

Shkup, 21 shkurt 2023 (MIA) - Sot mund t'i vendosim themelet e përgjegjësisë shoqërore frytet e së cilës do t'i gëzojnë gjeneratat e ardhshme, që në fakt është obligim ynë ndaj tyre. Ngjarja për të cilën jemi mbledhur, ndarja e bursave për studentët, e thekson filantropinë e biznesmenëve tanë, që njihet edhe si “përgjegjësi shoqërore  e korporatave”, porositi  zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi në ndarjen e bursave për studimet universitare në organizim të Fondacionit “Albiz”.

 Përveç rritjes së reputacionit të kompanive, thekson ai, përgjegjësia shoqërore e korporatave e ndihmon komunitetin të marrë arsim cilësor, i cili sot paraqet mjet kryesor në luftën kundër varfërisë, duke i bërë njerëzit të aftë për tregun e punës.

 “Kjo më së miri e ilustron sintagmën  “t'i mësosh të rinjtë të peshkojnë, e jo vetëm t'u japish    peshk të gatshëm”, tha Bytyqi dhe shtoi se 175 studentëve që sonte u ndahen bursat me siguri nesër do të jenë bartës të proceseve shoqërore  dhe ekonomike në shtet.

 

Zëvendëskryeministri theksoi se procesi arsimor kërkon veprim të përbashkët partneriteti nga Qeveria dhe bizneset.

 "Ne nuk ikim nga detyrimet tona për të krijuar kushte për arsim cilësor. Republika e Maqedonisë së Veriut me vëmendje ndjek trendet ndërkombëtare bashkë me Agjendën 2030 ku, mes tjerash filantropia është një nga mekanizmat kyç në nxitjen e zhvillimit, prandaj me ndryshimet në ligjin për Donacionet dhe Sponsorizimet në Veprimtaritë Publike do të mundësohen lehtësira tatimore për donacionet nga ndërmarrjet", theksoi Bytyqi.

Ai theksoi se “Albiz” tashmë një dekadë  ndan bursa dhe theksoi se studentët  që fitojnë bursë janë me përkatësi të ndryshme etinik, gjë që, siç tha, krijon një shoqëri të barabartë për të gjithë, një shoqëri të solidaritetit që integron dhe ofron mundësi.

 "Apeloj që arsimi Dual të jetë kryefjala e procesit tonë të nxënies së dijes, sepse atë që thash më lart, problemi ynë nuk mund të adrresohet nga një palë e vetme. Sot afaristët ankohen se pjesa dërmuese e të papunëve në Maqedoni të Veriut nuk I kanë kualifikimet e duhura dhe si të tillë nuk janë të aftë për tregun e punës, prandaj them se planet tona për të reformuar sistemin arsimor duke e prezentuar Arsimin Dual për të krijuar kuadër më të përgatitur në të ardhmen, nuk mund të bëhet pa përfshirjen tuaj në proces", theksoi Bytyqi.

 Përmes arsimit Dual, shtoi zëvendëskryeministri, studentët aftësohen në një kompani por paralelisht ata ndjekin edhe lëndët në një shkollë profesionale ose në fakultet.

"Kjo i  zhvillon aftësitë praktike që ju kërkoni si punëdhënës, atë që Gjermania ose Zvicra ka kohë që e zbatojnë si model arsimor, e përse mos të mësojmë nga më të mirët", potencoi Bytyqi. ar/

 

QËNDRONI TË LIDHUR