• e premte, 20 dhjetor 2024

Burime në Bruksel: Ambasadorët e BE-së diskutojnë për përkeqësimin e krizës në Kosovë

Burime në Bruksel: Ambasadorët e BE-së diskutojnë për përkeqësimin e krizës në Kosovë

Bruksel, 26 shtator 2023 (MIA) - Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Bruksel bisedojnë për "përkeqësimin e mëtejshëm të krizës në Kosovë” pas konfliktit mes policisë së Kosovës dhe grupit terrorist serb në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, me ç'rast u vra një polic i Kosovës dhe katër sulmues, konfirmuan përfaqësuesit e BE-së për gazetarët. 

Zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano paraprakisht njoftoi se kjo është pjesë e procedurave dhe kontakteve politiko-diplomatike “për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe çfarë veprimesh do të ndërmarrin vendet e BE-së në këtë drejtim”. 

Ai tha se hetimet nga policia e Kosovës, së cilës me kërkesë të saj po i ndihmojnë EULEKS-i dhe KFOR-i, janë ende duke vazhduar.

"Nevojitet të përcaktohet se kush e organizoi dhe kush e kreu këtë sulm terrorist dhe përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë", tha Stano.

Zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Zhosep Borell, tha se EULEKS-i, në pajtim me mandatin e saj, po bën gjithçka që mundet për të ofruar mbështetje për Policinë e Kosovës nëse kërkohet. 

Sipas Stanos, shefi i misionit EULEKS në Kosovë, gjeneral-major i karabinierëve italianë, Xhovani Pietro Barbano është në kontakt të vazhdueshëm me Borrellin dhe e informon atë për të gjitha informacionet.

Stano shtoi se BE-ja është në kontakt të vazhdueshëm me pjesëmarrësit e dialogut Prishtinë-Beograd dhe edhe njëherë tha se kur bëhet fjalë për sulm terrorist, është me rëndësi të kryhet një hetim i plotë dhe të përcaktohet se kush është përgjegjës. qa/bsh/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR