• e hënë, 20 janar 2025

Brimora: Zgjerimi i Ballkanit Perëndimor është pjesë e prioriteteve të kryesimit polak me Këshillin e BE-së

Brimora: Zgjerimi i Ballkanit Perëndimor është pjesë e prioriteteve të kryesimit polak me Këshillin e BE-së

Shkup, 17 janar 2025 (MIA)- Zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet i kryesimit polak me Këshillin e Unionit e cila filloi në fillim të muajit, thotë në bisedën për "360 gradë" ushtruesi i detyrës ambasador i Polonisë në Maqedoninë e Veriut, Mariush Brimora. Ai beson se Polonia nuk ka hequr dorë nga Ballkani Perëndimor si pjesë e prioriteteve të saja dhe thekson se vendi i tij do të mbështesë dhe forcojë aktivitetet për përshpejtimin e qasjes së rajonit në Union. 

"Dhjetorin e kaluar kryeministri Tusk gjatë vizitës së tij në Serbi, deklaroi se zgjerimi i BE-së do të jetë në qendër të vëmendjes sonë gjatë presidencës. Ne do t'i bëjmë thirrje Përfaqësueses së lartë, Kaja Kallas gjatë presidencës sonë të organizojë takim ministror BE-Ballkani Perëndimor që të ruhet interesi për bashkëpunim me rajonin, të vlerësohet progresi në zgjerim për të arritur përparimin në normalizimin midis Serbisë dhe Kosovës. Mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor përmes një sërë aktivitetesh dhe projektesh të tjera si tuing- projektet, njëri prej të cilëve do të hapet këtu në Shkup javën e ardhshme. Me të do të udhëheqin ekspertë polakë për çështjet e transportit. Nëpërmjet akademisë vjetore të zgjerimit, ku marrin pjesë përfaqësues të të gjitha vendeve të rajonit, ne ofrojmë transferim bilateral të njohurive mbi procesin e zgjerimit. Pra, nëse Maqedonia e Veriut inicion kërkesë për disa konsultime, ekspertët tanë do të jenë të gatshëm ta ndajnë atë njohuri. Duhet theksuar se në momentin që po xhirojmë këtë intervistë, ministri juaj për Çështje evropiane, Orhan Murtezani, është nisur për në Varshavë, ku të premten do të takohet me ministrin tonë të BE-së, Shlapka. Ai do të ketë gjithashtu disa takime me përfaqësues të qeverisë polake, përfshirë deputetë që janë pjesë e grupit të miqësisë polako-ballkanike. Dje mora një tjetër ftesë për ministrin Murtezani për të marrë pjesë në një mbledhje të Këshillit në Varshavë në fund të shkurtit”, thekson Brimora.

Ai thotë se janë duke punuar për organizimin e një vizite të ministrit të Punëve të Jashtme në Varshavë, ndërsa për në verë planifikojnë të organizojnë një vizitë të kryetarit të Parlamentit polak së bashku me disa deputetë. Temë kryesore e të gjitha këtyre takimeve do të jetë zgjerimi dhe kjo, siç thekson ai, "do të thotë se Varshava nuk është pasive".

Lidhur me bllokimin e integrimit evropian të vendit, Brimora paralajmëron se presidenca polake do të përfshihet në përpjekjet për tejkalimin e ngërçit, duke bërë të ditur se së shpejti përfaqësues të MPJ-së polake do të nisen për në Sofje ku ndër të tjera do të bisedohet për situatën me Maqedoninë e Veriut.

Në lidhje me “udhëkryqin” në të cilin ndodhet vendi, ai thekson se është një çështje qind për qind bilaterale dhe si e tillë duhet të zgjidhet nga vendet e invovluara. Sipas tij, ajo që mund të bëjnë anëtarët e tjerë të BE-së është të mbështesin një zgjidhje që synon arritjen e kompromisit në çdo forum ndërkombëtar apo në nivel të BE-së dhe siç shton, "patjetër do ta mbështesin një zgjidhje të tillë".

Ai ka thënë se pajtimi është një proces afatgjatë për të cilën duhet kohë, sipas tij tani për tani detyrë kryesore e qeverisë në Shkup është të fillojë të negociojë dhe të arrihet te ndonjë konkluzë sa më shpejtë të jetë e mundur dhe që është i pranueshëm për të dyja palët.

Lidhur me ndryshimet kushtetuese me efekt të prolonguar, ai thotë se disa aleatë të qeverisë insistojnë se kjo është e mundur, por shton se nga ana tjetër nuk ka asnjë tregues se Brukseli apo Bullgaria do të ndryshojnë qëndrim.

"Nuk jam i sigurt se ky propozim mund të jetë efektiv. Komisarja e re evropiane për zgjerim, Marta Kos, siç dëgjuat, deklaroi se pret që Maqedonia t'i implementojë ndryshimet kushtetuese. E gjitha kjo ka të bëjë me parimin e vjetër latin në të drejtën ndërkombëtare - pacta sunt servanda, që do të thotë se marrëveshjet duhet të respektohen. Mbaj mend një mikun tim të mirë, një amerikan të shquar me rrënjë polake, gjeneralin Ed Rauni i cili ishte këshilltar për siguri kombëtare të pesë presidentëve amerikanë. Pas daljes në pension, ai shkroi një libër për negociatat e çarmatimit midis SHBA-së dhe BRSS-së. Libri titullohej “Duhen dy veta për një vallëzim”, thekson Brimora.

Foto: "360 gradë"

 

QËNDRONI TË LIDHUR