• e hënë, 23 dhjetor 2024

Brifing tematik i ministrit Osmani për edicionin e tretë të Forumit të Prespës për Dialog, që do të mbahet në Strugë

Brifing tematik i ministrit Osmani për edicionin e tretë të Forumit të Prespës për Dialog, që do të mbahet në Strugë

Shkup, 20 prill 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot pati konferencë tematike me shefat e misioneve diplomatike të akredituara në Maqedoninë e Veriut për edicionin e tretë të Forumit të Prespës për Dialog (PFD), me titull “Familja europiane e zgjeruar deri në vitin 2030: Mision i (pa) mundur?”, i cili do të mbahet nën patronazhin e Kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, më 15 dhe 16 qershor 2023, në Strugë.

“Forumi, i cili do të mbahet gjatë zhvillimi të luftës në kontinentin europian, po bëhet brend i jonë, që është dëshmi se ne përpiqemi, si shtet ashtu edhe si rajon, të kontribuojmë në promovimin e dialogut, besimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit, të cilat janë elemente kyçe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe paraqesin gur themel për paqen dhe sigurinë afatgjatë”, tha Osmani.

Sip kumtoi MPJ, duke iu referuar temës qendrore të PFD-së së sivjetshme, ministri Osmani theksoi se ajo paraqet inkurajim për diskutime për sigurimin e së ardhmes së rajonit në strukturat evropiane dhe euroatlantike, me fokus zgjerimin e BE-së në një kornizë kohore të parashikueshme.

“Titulli është provokues dhe presim debat të frytshëm dhe energjik, veçanërisht pasi që të gjithë jemi dëshmitarë të rënies dramatike të mbështetjes publike për procesin e integrimit në BE në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Na takon ne ta kthejmë këtë trend në rënie dhe bashkërisht të kërkojmë zgjidhje konkrete që synojnë integrimin e përshpejtuar të rajonit në BE, njëherit duke u fokusuar në zhvillimin e tij ekonomik dhe përfitimet e prekshme për qytetarët tanë. Kjo është ajo që dua ta quaj më shumë integrim përpara anëtarësimit në BE”, tha Osmani.

Ambasadori Jovan Tegovski, kryesues i Grupit Punues për PFD në kuadër të Ministrisë, informoi më në detaje për aspektet organizative-logjistike dhe aspektet përmbajtjesore, ndërsa informoi se në PFD2023 parashihen sesione të nivelit të lartë, sesione të shumta tematike, panele rinore, ndërsa në margjina të Forumit parashihet edhe mbajtja e një takimi të iniciativës sonë jozyrtare të ministrave të jashtëm të B6 dhe takimi lidhur me kryesimin tonë të nismës rajonale SHBA-Karta e Adriatikut (A5).

Diskutimet në PFD-në e këtij viti do t’i referohen këtyre temave: 5-vjetorit të Marrëveshjes së Prespës; paqes dhe demokracisë; bashkëpunimit rajonal; sfidave politike dhe të sigurisë në rajon; dialogut dhe pajtimit; procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor; Iniciativës franko-gjermane për reformën e BE-së; migrimeve; luftës kundër korrupsionit; ndikimeve të huaja malinje; financave ndërkombëtare në aspektin e masave restriktive ndërkombëtare; digjitalizimit.

Njëherit, Osmani paralajmëroi ngjarjen promovuese me titull "Rruga drejt vitit 2030", e cila do të mbahet në Shkup, më 8 maj përmes panel-diskutimit me përfaqësues të organizatave rinore dhe panel-diskutimit me përfaqësues të shoqërisë civile dhe think tank-eve nga Ballkani dhe më gjerë, të cilët ndjekin në mënyrë aktive politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR