• e diel, 13 tetor 2024

Bozhinovska - Pjat: Maqedonia me dorën e shtrirë nga SHBA-ja do të ecë me sukses drejt tranzicionit të gjelbër

Bozhinovska - Pjat: Maqedonia me dorën e shtrirë nga SHBA-ja do të ecë me sukses drejt tranzicionit të gjelbër

Shkup, 11 shtator 2024 (MIA) - Objektivat strategjike kombëtare të energjisë, tranzicioni i gjelbër dhe nevoja për investime në gazifikimin dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë ishin në fokus të takimit të ministres së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, me Xhefri Ros Pjat, ndihmës sekretar i shtetit të SHBA-së për burimet energjetike.

Siç informojnë nga Ministria, ministrja në takim ka theksuar se një nga qëllimet strategjike të Qeverisë është që në periudhën e ardhshme ta ulë varësinë e importit të vendit nga energjia elektrike. 

“Një nga synimet strategjike të Qeverisë është që në periudhën e ardhshme të reduktojë varësinë e vendit nga importi nga energjia elektrike. Tranzicioni i gjelbër dhe dekarbonizimi janë ndër prioritetet në periudhën e ardhshme dhe me interes kyç është fillimi i shpejtë i zbatimit të projekteve për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme që do të jenë një vlerë e shtuar për sistemin elektrik. Po ashtu jemi duke i përshtatur rregulloret ligjore sipas direktivave strikte të BE-së, të cilat do të jenë një lloj udhërrëfyesi sipas të cilit do të ecim në të ardhmen”, theksoi Bozhinovska në takimin me Pjat.

Shtojnë se përfaqësuesit qeveritarë, me përfaqësuesin e lartë të SHBA-së, kanë shkëmbyer mendime lidhur me aktivitetet të cilat në periudhën e ardhshme do të realizohen në segmentin e gazifikimit, ndërsa janë shqyrtuar edhe mundësitë për përfshirje eventuale të vendit drejt tubacioneve të gazit në rajon.

Në kuadër të vizitës në SHBA, ministrja Bozhinovska ka realizuar takim edhe me Erin Elizabet Meki, ndihmës drejtoreshë e USAID-it për Evropë dhe Euroazi në fokus të të cilës ishin investimet në burime të rinovueshme, mbrojtja e mjedisit jetësor, përfitimet nga skenari i gjelbër energjetik dhe ndikimi i ndryshimeve klimatike. 

Në takimin në të cilin mori pjesë edhe ministri Mexhiti, ishin theksuar angazhimet e USAID-it drejt realizimit të projekteve me interes publik. 

“Diskutuam për potencialin e vendit për fillimin e nismave dhe projekteve të reja që do të na ndihmojnë të marrim më lehtë rrugën drejt tranzicionit të gjelbër dhe të reduktojmë emetimet e dioksidit të karbonit. Stabiliteti politik është i një rëndësie vendimtare në përpjekjet për të krijuar një klimë për tërheqjen e investimeve të huaja. Kemi shkëmbyer mendime të ngjashme për nevojën e bashkëpunimit të vazhdueshëm për t'u përballur me sfidat mjedisore, si dhe për të mbështetur iniciativat e gjelbra që do të ndihmojnë drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit në rajonin e Evropës Juglindore”, theksoi Bozhinovska.

Nga ministria shtojnë se ajo para pak kohësh ka realizuar takim pune me një delegacion të USAID-it të kryesuar nga Xheri Dibëll, përfaqësues për Maqedoni, në të cilin ishin ndarë prioritete të rëndësishme strategjike, me theks në modernizimin e kapaciteteve enegjetike dhe shtrirjen e projekteve të ardhshme për bashkëpunim. fc/

Fotografia: Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale

QËNDRONI TË LIDHUR